Nga raportet e huaja tek këngët me “100 kile”—imazhi i Shqipërisë për narkotrafikun

Nga Erblin Vukaj
Nga raportet e huaja tek këngët me “100 kile”—imazhi i Shqipërisë për narkotrafikun

Ky raport nuk përbën bazë për skandalizimin e imazhit të Shqipërisë, qoftë në rajon, qoftë në Evropë, qoftë anë e mbanë Botës.”

Ky ishte komenti i Zëvendës Ministrit të Jashtëm Gent Cakaj, për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër narkotrafikut. Raporti theksonte se grupet kriminale shqiptare përveçse kanabisit trafikojnë në Europë heroinë dhe kokainë, duke e siguruar drogën direkt nga prodhuesit në Amerikën e Jugut dhe Azisë, shpesh duke e kaluar tranzit nga Shqipëria. Sipas raportit. Shqipëria shërben si bazë operacionale e grupeve të krimit të organizuar në Amerikën Latine, SHBA, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Fjalët “imazh” dhe “skandalizim”, të cilat përmendi Cakaj, duhet të analizohen pikërisht në kontekstin e asaj se çfarë thotë ky raport i amerikanëve.

Si fillim dua ta nis nga një fushatë që ka mbështetur së fundmi Ministria e Turizmit, fushatën “Be taken by Albania” (Rrëmbehu nga Shqipëria). Parrulla kryesore e fushatës luan me titullin e filmit të famshëm me realizim francez Taken” (E rrëmbyer) i vitit 2008, në të cilin interpreton aktori i njohur Liam Neeson.

Neeson luan rolin e një babai që përballet me një grup shqiptar të trafikut të qenieve njerëzore, të cilët i kanë rrëmbyer vajzën. “Taken” rezultoi shumë i suksesshëm në audiencat amerikane dhe të Evropës perëndimore, sa u realizuan edhe dy pasues të tij, Taken 2 (2012) dhe Taken 3 (2014), si dhe një serial televiziv Taken me dy sezone (2017 dhe 2018) në një nga tre televizionet kryesore amerikane, NBC.

Suksesi i jashtëzakonshëm i filmit dhe jehona e pazakontë që ai pati në mediat dhe publikun perendimor përforcuan shumë stereotipin se shqiptarët janë trafikantë femrash. Stereotip ky i nxjerrë nga ku? Nga raportet e ndryshme ndërkombëtare si ato të Departamentit Amerikan të Shtetit, të botuara rregullisht, për kriminalitetin shqiptar dhe trafikun e qënieve njerëzore, si dhe nga informacionet e lajmeve të mediave perëndimore, që kanë raportuar me qindra raste të tilla çdo vit.

Shembulli më i fundit: raporti i qeverisë britanike, i cili informon se ka patur 947 shqiptarë viktima të trafikut njerëzor në vitin 2018 në Britani.

Duket se 10 vite pas suksesit të filmit Taken, trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore vazhdojnë këtë aktivitet çnjerëzor në të gjithë Europën, duke konfirmuar steriotipin e shqiptarit trafikant që ka rrëmbyer vajzën e personazhit të Liam Neeson-it.

Fushata Be taken by Albania mund të ketë pasur qëllimin e mirë për të joshur përmes imazhit dhjetëra milionat e atyre që kanë parë filmin dhe për t’u treguar se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë ashtu siç përshkruhen në film.

Por imazhi dhe ndikimi negativ në publikun e huaj i raportimeve zyrtare dhe mediatike perëndimore mbi veprimtarinë e grupeve kriminale shqiptare nuk mund të rregullohen dot me një “Be taken by Albania”.

Afërmendsh, duhet një lëvizje e fortë e shtetit për ta ndryshuar situatën e krimit shqiptar në Shqipëri dhe në botë. Por, fatkeqësisht, nëse ka patur një gjë për të cilën kjo qeveri është sulmuar më shumë, dhe shpesh akuzat janë provuar, ka qenë pikërisht lidhja e strukturave qeveritare me krimin.

Duke mbetur tek “imazhi” dhe “skandalizimi” i Zotit Cakaj, të paktën për sa i përket narkotrafikut, imazhi i Shqipërisë ka kohë që është skandaloz. Edhe qindra fushata të diplomacisë publike po të ndërmerrte Qeveria, nuk do ta fshinte dot jehonën e keqe të Shqipërisë.

Si për ironi të qeverisë, arritjet e kriminelëve shqiptarë në trafikun e drogës dhe në krime të tjera tashmë janë kthyer në krenari e frymëzim për artistët tanë, të cilët u thurrin atyre këngë dhe lavde.

Vargje si “Deri n’Kolumbi zoni jonë nihet” (“Shqipe” nga Tayna, me 23 milionë shikime në YouTube), apo “S’bojm’ transport nën’ 100 kile, e bardh’ a jeshile…” (100 Kile nga Noizy, me 38 milionë shikime), apo seria e këngëve High 1, 2, 3, 4  nga Babastars, (mbi 40 milionë shikime në total) janë imazhi i Shqipërisë edhe mes nesh.

Për fatin e saj të keq, qeveria nuk bind dot as qytetarët e saj për të keqen dhe luftën kundër narkotrafikut.

A po don puro me Ganja? A po don ‘Coke Peruana?” Arti i realizmit kriminal, në fakt, lindi pasi në krye të qeverisë erdhi artisti Edi Rama, i cili me të njëjtin frymëzim si Noizy u drejtohet fshatarëve të varfër: “Si jeni me hashashin nga fshati juaj?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>