Nga rrënojët e teatrit të shembur duhet të lindë drejtësia

Nga Medlir Mema
Nga rrënojët e teatrit të shembur duhet të lindë drejtësia

Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në orët e mëngjesit së dielës së shkuar shënoi shembjen e fasadës së fundit të pseudo-shtetit shqiptar, të krijuar gjatë këtyre 30 viteve të fundit.

Nuk jam as arkitekt e as artist, dhe nuk mund e nuk dua të komentoj mbi debatin, tërësisht subjektiv, të meritave të shembjes, restaurimit apo të rindërtimit të teatrit.

Personalisht, si çdo shqiptar që e do vendin e tij, jam për ruajtjen e vlerave kulturore, historike dhe arkitektonike të vendit tim. Por, këto janë debate subjektive dhe njerëz me këndvështrime të ndryshme mund ta shikojnë çështjen ndryshe.

Ajo që është e padiskutueshme, është se procesi politik, ligjor dhe shoqërorm, i cili ka shoqëruar debatin mbi shembjen e teatrit, tregon në mënyrë demonstrative se në mes të shoqërisë shqiptare është ngulitut modeli anadollak i qeverisjes.

Tashmë, është e qartë se në Shqipëri kemi një sistem autoritarian erdoganist, me një kryeministër i cili luan rolin e parlamentarit, të ekzekutivit, të gjyqësorit e të xhelatit, i cili kujton se është mishërimi i Portës së Lartë, kujton se është Sovrani, kujton se ka mençurinë e Solomonit, pafajësinë e Gandit dhe largpamësinë e Aleksandrit të Madh.

Ne kemi një shtet policor dhe jo të së drejtës.

Kemi një parlament, ku veç 2-3 figurave me një orientim perëndimor, të gjithë janë kufoma politike që nuk kanë pasur as dëshirën, as guximin dhe as imagjinatën politike për ta përfaqësuar këtë popull siç duhet.

Por kemi edhe një opozitë së cilës i ka dalë boja dhe gëzon zero besueshmëri në popull.

Shpresa ime e vetme është se nga pluhuri i shembjes së teatrit do të ngrihen figura—jo si ato që kemi në Kuvend, të importuara nga jashtë dhe që bëjnë sikur bëjnë opozitë—të cilat do të ndërtojnë rrjete të gjera e të thella shoqërore dhe do të kenë integritetin e përulësinë për t’u bërë me të vërtetë shërbëtorë të popullit shqiptar dhe jo gjakpirës të tij.

Shqiptarët meritojnë më shumë. Shqipëria meriton më shumë.

Martin Luther King ka thënë se ‘harku i universit moral është i gjatë, por ai anon nga drejtësia’.

Por, që kjo të ndodhë duhet që, herë pas here, të ketë nxitje e të ketë përpjekje.

Lutem e shpresoj që Shqipëria, më në fund, do të ketë në krye të saj njerëz të cilët do të bëjnë të pamundurën që harku moral i kombit shqiptar të anojë nga e drejta dhe që drejtësia më në fund të ulet këmbëkryq në vendin tonë.

 

Medlir Mema është profesor i Marrëdhënieve dhe Ligjit Ndërkombëtar në Universitetin Ndërkombëtar të Tokios.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>