Nga sytë e një anglezeje: 14 zakone shqiptare që çudisin një të huaj

Nga Alice Elizabeth Taylor
Nga sytë e një anglezeje: 14 zakone shqiptare që çudisin një të huaj

U bë kohë që nuk kam shkruar për jetën në Shqipëri. Më poshtë kam renditur, me pak ironi, disa nga zakonet dashamirëse të shqiptarëve.

1—Gjithmonë merr një shqiptar me vete nëse do të mbarosh punë në zyrat e shtetit, të zgjidhësh ndonjë problem ligjor, ose kur shkon në postë. Edhe nëse flet shqip, prapë të duhett një shqiptar, se kanë mënyrën e tyre se si i zgjidhin gjërat. Kjo mënyrë përfshin të flasësh me zë të lartë dhe shpejt, të flasësh me këmbë e me duar, të dukesh sikur je me nerva—në daçi besojeni, po këto të zgjidhin vërtet hallin.

2—Përgatitu të dëgjosh komente si: “u, qenke shëndoshur”, “i kishe më mirë ashtu flokët”, “si e sëmurë më dukesh” — vdesin të komentojnë mbi gjëra të ndjeshme, pa e menduar dy herë.

3—Mos u lodh të mbash radhë. Nëse je në postë, nëse je duke pritur në autobus, nëse po përdor bankomatin, ose po blen në market, dhe nëse je në radhë diku, je i dënuar të presësh gjithë ditën. Vëri në punë brrylat, tregohu i vendosur dhe bëj sikur nuk i sheh të tjerët që janë aty, vetëm kështu mund t’ia dalësh.

4—Sinjalistika është vetëm për dekor. Mos Parko, Ndalohet Duhani, Ndalohet për moshën nën 18 vjeç etj, shenja si këto kanë vetëm funksion estetik, sepse askush nuk i respekton. Ndonjëherë mund të shohësh tavlla plot me bishta çigaresh edhe pse në derën e lokalit shkruhet “Ndalohet Duhani”. Vini Re! Kjo vlen edhe për sinjalistikën e qarkullimit rrugor.

5—Bëni kujdes me kafen. Kafja shqiptare nuk është kafja evropian. Jo vetëm që është shumë shumë herë më e mirë, por edhe shumë herë më e lirë se kafja evropiane, dhe të lë pa mend. Këshilla ime është ta pini ngadalë dhe jo me shpejtësi siç do të bënit në ndonjë vend tjetër, sepse mund të filloni të dridheni dhe të mos jeni në gjendje të përfundoni dot një fjali.

6—Të marrësh pako nga jashtë vendit është si ruleta ruse. Të marrësh pako nga miq, të afërm, nga Amazon, është si të luash kumar. Ato mund të vonohen me javë, deri në një vit, mund të mos paguash fare taksë doganore, ose mund të të duhet të marrësh kredi për ta paguar taksën. Një gjë e sigurtë në të gjitha rastet është se pakoja nuk të vjen në shtëpi dhe duhet të paraqitesh në postë për ta tërhequr. Mund të merresh tre orë vetëm për të arritur të tërheqësh nëj libër nga posta.

7—Ato gotat e vogla nuk janë me ujë. Nëse del për kafen e mëngjesit dhe sheh njerëz duke pirë kafe dhe një pijë transparete, si ujë, në gota të vogla, dije se nuk është ujë, por raki.

8—Buka është vetë jeta. Nëse je duke ngrënë me shqiptarë, bëhu gati të hash shumë bukë. Makarona për darkë? Duhet pak bukë me to. Pizza për darkë? Duhet prapë pak bukë. Bukë për darkë? Duhet prapë pak bukë. Shqipëria, përfundimisht, nuk është një vend për ata që kanë intolerancë ndaj grurit.

9—Djathi është jeta vetë. Sërisht, kur je duke ngrënë me shqiptarë, përgatitu të hash shumë djath. Mund të hash 2 deri në 4 lloje të ndryshme djathi në çdo vakt, përfshirë mëngjesin. Djath të bardhë, djath kaçkavall, djath të fortë, djath pa kripë, djath të pjekur, djath lope, djath dele, djath pikant, djath shtëpie… për tavolinat shqiptare djathi asnjëherë nuk është i mjaftueshëm.

10—Të merresh vesh me njerëzit në rrugë është si mbijetesa e më të fortit. Nëse je duke i dhënë makinës ose je duke ecur në rrugë si këmbësor, përgatitu të të ngrihet adrenalina. Ai burri jeshil në semafor nuk do të thotë kalo, por do të thotë vrapo, dhe mënyra më e mirë për t’ia dalë kur nget makinë është thënia “fitoftë më i miri”.

11—Stereotipet, pastaj, janë gallatë fare. Nëse jeton në Bllok ose e frekuenton këtë zonë në Tiranë, do të kuptosh shumë shpejt që aty sheh të njëjtët lloje njerëzish. Italianë me skalpin e gjakosur dhe me fasho (pas operacionit për mbjelljen e flokëve), trafikantë droge me Land Rover, bluza Guçi me xixa, gra që kombinojnë ngjyrën e buzëkuqit, të gishtave, të këpucëve, të çantave dhe me syze të mëdha, edhe pse bie shi. Yjet e Instagramit me tuta sporti marke dhe me buzë super super të mëdhaja, dhe disa komunistë me kapele republike. Rri nja një orë në Bllok dhe ke për ta parë sa shumë do të shohësh.

12–Bëhu gati t’i përgjigjesh pyetjeve seri. Sapo e marrin vesh që je e huaj, bëhu gati t’i përgjigjesh pyetjeve si: Nga vjen? Je e martuar me shqiptar? Pse je këtu? Të pëlqen Shqipëria? Cila pjesë e Shqipërisë të pëlqen më shumë? (merr pikë bonus, nëse thua qytetin nga vjen personi). Këto janë sa për të filluar.

13—Bëhu gati të debatosh. Shqiptarët vdesin të debatojnë, por në një mënyrë të mirë. Çfarëdo të thuash, kujtdo t’ia thuash, edhe pse mund të mos e kesh seriozisht, dhe pse ata mund të jenë dakord me ty apo të kenë të njëjtin mendim, shqiptarët mbaojnë për çikë debat dhe shpejt mund ta gjesh veten në mes të një të tilli. Nëse gjërat ndizen, qerasi me një gotë raki dhe gjithçka rregullohet.

14—Shqiptarët nuk të lënë të paguash. Mikpritja shqiptare është e klasit botëror dhe ata këmbëngulin të të qerasin nëse je i ftuar, veçanërisht me kafe ose pije. Një këmbëngulje e tillë në vende të tjera mund të quhet e pasjellshme, por rregulli është (nga aq sa kam kuptuar unë) kushdo që fton tjetrin, zakonisht paguan. Pas dy vite e gjysëm në Shqipëri, më në fund e kam mësuar se si të fitoj unë— u them “boll tani, nuk jam më mysafire”.

E dua Shqipërinë!

 

Botuar më parë në Balkanista.com

6 komente

  1. Zaim 2 Mars, 2020 në 5:28 pm

    Kjo inglizja paska tregu fiks steriotipin e vet dhe fobinë e saj për klasin e vendeve të ballkanit.
    Veç në dy raste ka tregu fiks fisnikërinë e shqipëtarëve, pastaj veç paska paragjyku.
    Imagjino jep mendim nji “angleze” që sdihet sa “maloke” asht në Angli. 😜😜😜

  2. Ari 2 Mars, 2020 në 9:57 pm

    Po emrin pse nuk e ka vënë kjo gazetarja anglezo-malteze?
    Lexo pak Edit Durham ajo flet për shqiptarët…ju flisni për qiptarët e OJQ-ve, të lokaleve që frekuentoni apo të ambienteve që nga pamundësia për t’i njohur nga brenda mundoheni ti paragjykoni dhe t’i merrni me mend…

  3. Elda 6 Mars, 2020 në 4:17 pm

    Artikulli është shumë I bukur:) Nuk e di kush e ka shkruar këtë atrikull por dua t’ju dërgoj komplimentet e mia për shkimin e bukur letrar. Ditën e soçme duhet të dish Turqisht,Anglisht edhe Italisht që të kuptosh ç’far do të thot në Shqip:)
    Gëzime!!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme