Mbas betimit të tetë prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) para Presidentit, ambasada e SHBA-ve dhe ambasadori i BE Luigi Soreca u shprehën se ngritja e kësaj strukture është një moment i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare.
Në një postim në faqen e saj në Facebook, ambasada e SHBA-ve u shpreh:
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.”
Ndërkohë ambasadori i BE Luigi Soreca deklaroi se “8 prokurorët e SPAK janë gati për të filluar punën” dhe se ky është “një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.”
Mëngjesin e sotëm tetë prokurorët e SPAK u betuan para Presidentit Ilir Meta.