Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, organizatat ndërkombëtare në Shqipëri kanë nisur fushatën e ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Në Shqipëri, edhe pse kuvendi ka miratuar një rezolutë kundër dhunës ndaj grave, situata vazhdon të jetë e pandryshuar.
Vetëm në vitin 2017, dhjetë gra u vranë si pasojë e dhunës në familje. Sipas Deutsche Welle, Policia e Shtetit ka raportuar se ҫdo ditë në Shqipëri arrestohen dy meshkuj për shkak se kanë ushtruar dhunë fizike në familje dhe një në ҫdo tri gra përjeton dhunë në familje gjatë jetës së saj bashkëshortore. Në 90 përqind të vrasjeve nga krimi në familje autorët janë meshkujt. Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve mbetet pa u denoncuar, ngaqë viktimat e shohin dhunën si një ҫështje private dhe jo ҫështje të drejtash ku hyn shteti, shoqëria, komuniteti.
Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana dhe Durrësi janë dy qarqet me numrin më të lartë të kallëzimeve në polici të rasteve të dhunës brenda familjes.
Për Ditën Ndërkombëtare të dhunës ndaj grave, dhe Forumi i Grave të Partive Popullore Evropiane organizoi në Ljubjanë kongresin “Gruaja e para”, me në fokus fuqizimin e gruas në vendim-marrje, si në biznes ashtu edhe në politikë.
Në kongres mori pjesë dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike e Gruas, deputetja Albana Vokshi, e cila denoncoi rritjen alarmante të dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri.
Zonja Vokshi deklaroi:
“Korrupsioni, kriminaliteti, varfëria, papunësia, humbja e shpresës kanë bërë që shifrat e dhunës ndaj grave në Shqipëri të ngjajnë me shifrat e një bilanci lufte. Gratë në Shqipëri janë më të pambrojtura se kurrë përballë dhunës sistematike, shtetërore institucionale.”
Për ta konkretizuar këtë shqetësim, zonja Vokshi iu referua edhe ngjarjeve të fundit gjatë protestës së banorëve të zonës së Astirit, ku dhjetëra gra e të mitur kanë qenë viktima të dhunës shtetërore dhe asaj policore.