Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe mbështetës të tyre kanë nisur sot mosbindjen civile, të lajmëruar dje pas vendimit të gjykatës së Tiranës për të lënë në burg protestuesit e Rrugës së Kombit.
Deputetë dhe qytetarë kanë nisur në orën 10 protestën duke bllokuar katër akset rrugore kryesore të vendit.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha bashkë me deputetët e Tiranës ndodhen në Vorë, duke bllokuar hyrjen për në Tiranë.
Në rrethrrotullimin e Milotit janë vendosur deputetët e qarqeve të Veriut. Në Çermë të Lushnjes janë deputetët e qarqeve të jugut, ndërsa në Bradashesh të Elbasanit ndodhet Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe deputetët e Elbasanit.
Nga Elbasani, Monika Kryemadhi tha se protesta e sotme nuk është për të bllokuar rrugët, por për t’i dhënë fund qeverisjes së drogës së Kryeministrit Rama:
“Jemi këtu për të ndërgjegjësuar Kryeministrin e drogës Edi Rama që duhet të tërhiqet nga taksa e rrugës, nga TVSH-sa për biznesin, nga rritja e çmimit të ujit dhe çdo gllabërim që i bën shqiptarëve.”
Në Milot, policia i ka bërë thirrje protestuesve të shpërndahen pasi protesta nuk është e ligjshme. Deputetët demokratë e kanë quajtur thirrjen e policisë si provokim dhe i kanë kërkuar asaj të mos krijojnë përplasje me qytetarët.
Ndërkohë Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste po zhvillojnë të vetëm seancën plenare të ditës së sotme. Kryetari i Kuvendit Ruçi nuk pranoi kërkesën e opozitës për ta shtyrë seancën e sotme.