Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për deputet i Partisë Demokratike organizoi të martën paradite mbledhjen e parë.
Komisioni i përbërë nga 5 anëtarë—Genc Ruli, ish-ministër i ekonomisë dhe bujqësisë; Bujar Nishani, Ish-ministër i brendshëm dhe ish-president dhe aktualisht President i Këshillit Kombëtar; Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm; Mark Marku, ish-deputet dhe aktualisht shef departamentit të gazetarisë në UT; dhe Enriketa Papa, anëtare e Këshillit Kombëtar dhe pedagoge e historisë në UT—u propozuan nga kryetari Basha dhe u votuan më 3 gusht nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD-së.
Në udhëzimin e PD-së sqarohet se ky komision do të hartojë listën me kandidatët për deputet të propozuar nga anëtarësia, bazuar në karrierën dhe në pastërtinë e figurës.
Mënyra si do të merren vendimet e komision është ende e paqartë, pasi PD nuk ka bërë ende publike mënyrën e veprimit të Komisionit.
Pas takimit të sotëm, në një deklaratë për media, kryetari i komisionit Ruli shpjegoi se ai do të funksionojë bazuar në elementin e besimit reciprok në elektorat dhe mes anëtarëve të tij.
Ai u shpreh se ishte i kënaqur që do të ishte pjesë e përzgjedhjes së “një ekipi sa më cilësor kandidatësh” për “një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së”.
“Ky proces është një politikë e hapjes, unë jam njeri që kam pasur qëndrime kritike ndaj lidershipit. Ndaj edhe kjo ftesë që më është bërë mua është pikërish shenjë e pjekurisë dhe mendje-hapjes së PD-së, sot. Sot kam bindjen e plotë që me veprimtarinë e PD-së dhe sidomos në këto dy vitet e fundit jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj”, shtoi Ruli.
Ndërsa, Besnik Mustafaj tha se shpreson “të dal në fund të procesit i paturpëruar”, duke e konsideruar këtë detyrën më të vështirë që ka marrë ndonjëherë përsipër.