Kryeministri Rama vizitoi të premten, kantierin e spitalit të Fierit, ku ka nisur puna për ndërtimin e tij.
Rama i kujtoi inxhinierit turk se spitali duhet të përfundojë brenda tre muajsh, ashtu siç ka urdhëruar presidenti turk Erdogan.
“Do ta bëjmë ndërtimin në kohën më të shpejtë të mundshme,” u shpreh inxhinieri.
Ndërsa Rama iu përgjigj: “Tre muaj! S’ka ‘kohë më të shpejtë të mundshme!’”
Ndërsa ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se familjet pronare të tokës janë shpronësuar:
“Kemi kryer edhe fazën e shpronësimeve. Procesi është mbyllur me sukses.”
Vlen të kujtohet se 12 familje, pronare të tokës ku do të ndërtohet spitali fillimisht kundërshtuan të lirojnë tokën.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se spitali i ri do t’i ofrojë të gjitha llojet e shërbimeve, nga urgjenca deri tek kirurgjia:
“Do të përfshihen të gjitha shërbimet nga Urgjenca, URL-ja, Kirurgjia, do të përfshijmë edhe një pavion Covid që do të na ndihmojë për rritjen e kapaciteteve aktuale.”
Ndërtimi i spitalit të Fierit u premtua nga presidenti Erdogan gjatë një vizite të Ramës në Turqi, ditët e para të janarit.
Sipas deklaratave të kryeministrit, spitali i Fierit do të jetë spital publik dhe jo privat. Ai do të drejtohet nga mjekë turq për disa kohë.
Turqia do të investojë rreth 60-70 milionë euro për të ndërtuar spitalin e Fierit.