Nis punimet për spitalin e Fierit, Balluku: Pronarët e tokës u shpronësuan

Nga Exit News
Nis punimet për spitalin e Fierit, Balluku: Pronarët e tokës u shpronësuan

Kryeministri Rama vizitoi të premten, kantierin e spitalit të Fierit, ku ka nisur puna për ndërtimin e tij.

Rama i kujtoi inxhinierit turk se spitali duhet të përfundojë brenda tre muajsh, ashtu siç ka urdhëruar presidenti turk Erdogan.

“Do ta bëjmë ndërtimin në kohën më të shpejtë të mundshme,” u shpreh inxhinieri.

Ndërsa Rama iu përgjigj: “Tre muaj! S’ka ‘kohë më të shpejtë të mundshme!’”

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se familjet pronare të tokës janë shpronësuar:

“Kemi kryer edhe fazën e shpronësimeve. Procesi është mbyllur me sukses.”

Vlen të kujtohet se 12 familje, pronare të tokës ku do të ndërtohet spitali fillimisht kundërshtuan të lirojnë tokën.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se spitali i ri do t’i ofrojë të gjitha llojet e shërbimeve, nga urgjenca deri tek kirurgjia:

“Do të përfshihen të gjitha shërbimet nga Urgjenca, URL-ja, Kirurgjia, do të përfshijmë edhe një pavion Covid që do të na ndihmojë për rritjen e kapaciteteve aktuale.”

Ndërtimi i spitalit të Fierit u premtua nga presidenti Erdogan gjatë një vizite të Ramës në Turqi, ditët e para të janarit.

Sipas deklaratave të kryeministrit, spitali i Fierit do të jetë spital publik dhe jo privat. Ai do të drejtohet nga mjekë turq për disa kohë.

Turqia do të investojë rreth 60-70 milionë euro për të ndërtuar spitalin e Fierit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>