
Prej orës 17:00 ka nisur tubimi i thirrur nga Presidenti Ilir Meta, ku mijëra qytetarë janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Presidenti pritet të firmosë dy dekrete, kundër mënyrës së betimit të gjyqtarëve dhe për shpërndarjen e parlamentit.
Protesta nisi me himnin kombëtar dhe me një fjalë hapëse nga artistët e angazhuar në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Herë pas here ata u ndërprenë nga thirrjet “poshtë diktatura” apo “Rama ik!”.
Presidenti, Ilir Meta pak para se t’i bashkohej tubimit e konsideroi atë “pranverë kuqezi”, e cila nuk do të ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit”. Me të dalë në tribunë, Meta u ul në gjunjë para protestuesve dhe bëri me duar shenjën e shqiponjës.
Ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledio Bianko mbajti një fjalim ku theksoi se pa Gjykatë Kushtetuese të pavarur dhe me integritet, vendi rrezikon të drejtohet nga ligji i forcës.
Protestës iu bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.
Basha tha për gazetarët se:
“Në Shqipëri kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Mendoj se kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore.”
Presidenti Meta ftoi pak ditë më parë qytetarët në protesta për të moslejuar kapjen e të gjitha institucioneve nga partia në pushtet.






