Të martën nisi vaksinimi i stafeve të Aviacionit Civil. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë ndjekur nga afër proçesin e vaksinimit. Ato njoftuan se së shpejti do të nisin dhe vaksinimet për punonjësit e transportit urban.
“Transporti publik është shumë i rëndësishëm, pasi ata janë direkt në kontakt dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët ndaj dhe ne i kemi në prioritetet tona, për të filluar vaksinimin në një moment të shpejtë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se vaksinimi i stafit të Aviacionit civil është më rëndësi pasi është grup me risk të lartë.
“Këta kanë qenë edhe heronjtë tanë gjatë gjithë kohës së riatdhesimit, por që e kanë bërë në mbrojtjet totale të kushteve nga pandemia”, tha Balluku.
Manastirliu tha se vetëm të hënën mbërritën 208,000 vaksina të Sinovac dhe 8190 doza të vaksinës Pfizer.
Ajo tha se janë mbi 700 mijë vaksina të mbërritura në Shqipëri.
“Plani ynë i vaksinimit nuk do të ndalet. Jemi të vendosur për të kryer 500 mijë vaksinimet deri në fund të majit. Dhe do të vijojmë të kemi prioritet grupet e riskuara, të shërbimeve kritike, siç janë dhe punonjësit e Aviacionit Civil; do të vijojmë me operatorët turistikë dhe me përmbylljen e tyre, në vijim do të vaksinojmë edhe punonjësit e transportit publik”, tha Manastirliu.
MSH njoftoi se që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 345,944 doza të vaksinës ndaj COVID19: prej të cilave 264,175 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.