Nis vetingu për prokurorët, prokurorja e Apelit Shkodër sot para KPK-së

Nis vetingu për prokurorët, prokurorja e Apelit Shkodër sot para KPK-së

Besa Nikëhasani, prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër, është e para prokurore që do të kalojë në procesin e vettingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me prokuroren Nikëhasani.

Zonja Nikëhasani është pjesë e listës që do të vlerësohen me prioritet nga KPK, pasi kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili në shkelje të çdo afati kohor, ende nuk është formuar.

Besa Nikëhasani e nisi karrierën si prokurore në vitin 1993 në Prokurorinë e Lezhës, dhe më pas në vitin 2004 u zhvendos në Prokurorinë e Apelit në Shkodër.

Bashkë me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive personale, KPK do të analizojë dhe pasurinë e prokurores.

Sipas Birn, në një analizë të 12 deklaratave të pasurisë pranë ILDKPKI-së, në 3 prej tyre janë gjetur probleme, përkatësisht të viteve 2004, 2011 dhe 2014. Vlera totale e pasurisë së pajustifikuar është rreth 4 milionë lekë.

Një javë më parë, KPK vendosi moskalimin e procesit të vetingut, e për rrjedhojë shkarkimin nga detyra, për gjyqtarin e Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Të njëjtin vendim KPK ka marrë më herët dhe për gjyqtarin e Kushtetueses Fatos Lulo.

Vendimi për prokuroren Nikëhasani do të merret më datë 19 prill, dy ditë pas zhvillimit të seancën dëgjimore.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>