Ka filluar ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit në Tiranë. Pas prishjes së Stadiumit Qemal Stafa, ndërtuesi Albstar filloi sot hapjen e gropës së ndërtimit të stadiumit të ri.
Fillimi i punimeve është i paligjshëm, pasi për stadiumin nuk ka leje ndërtimi. madje nuk ka as një projekt përfundimtar teknik. Në fakt, të gjitha procedurat në lidhje me stadiumin janë bërë në fshehtësi, duke mos publikaur asnjë vendim, dokument apo informacion tjetër zyrtar.
Sikurse është bërë e njohur, stadiumi i ri do të jetë pjesërisht në pronësi të Federatës së Futbollit—fusha, shkallët dhe rreth 4 mijë metra katrorë zyra—dhe të kompanisë Albstar, e cila do të ketë në pronësi rreth 20 mijë katrorë mjedise tregtare në trupin e stadiumit dhe një kullë 24 katëshe që do të ngrihet po në trupin e stadiumit.
Formula e zgjedhur për ndërtimin e stadiumit është e paprecedentë në botë, pasi ajo bën, praktikisht, privatizimin e plotë të pronës publike pa asnjë procedurë ligjore dhe konkurencë.