Partia Demokratike do të protestojë nesër në një manifestim që prej ditësh është paralajmëruar si eventi më i rëndësishëm që opozita ka organizuar kohët e fundit.
Padyshim që është një lajm i mirë nga kampi i të pakënaqurve nga qeverisja e Rilindjes, por në të njëjtën kohë është dhe shumë e qartë që ky është një akt i vonuar i partisë më të madhe në opozitë.
Si rrallëherë në mandatin e parë një qeveri ka qenë thuajse e pashqetësuar për shumë kohë nga një opozitë që të vetmet denoncime për tendera, abuzime, koncensione, kanabis i ka bërë nga selia e partisë me lexues anemikë të deklaratave të pazëshme dhe që nuk motivojnë askënd.
Përkundrejt kësaj strategjie, pas më shumë se tre vitesh në pozita thuajse apatike dhe me qëndrime të paqarta në debatet parlamentare, Lulzim Basha po përpiqet të rikthejë frymën e protestës, atë frymë që dikur mbajti në këmbë PD në periudhën më të vështirë të saj në opozitën ‘97-‘05. Sigurisht që motivimi për ata që do jenë pjesëmarrës në këtë miting nuk ka lidhje vetëm me pagesat e larta të energjisë apo ndonjë tender të përfituar padrejtësisht.
Është e qartë që opozitë sot do të thotë të jesh kundër një qeverisje që po shkatërron çdo qelizë të atij që mund të konsiderohet shtet. Që më shumë se për tenderat e qeverisë motivimin duhet ta gjesh te kriminalizimi i tejskajshëm i politikës.
Çdokush ka të drejtë të protesojë nesër për çmimet e larta, për sigurinë publike apo për shërbimin skandaloz spitalor. Mund të ketë nga ata që duan të protestojnë edhe për shkatërrimin e asaj pak kulture apo arkeologjie që na ka mbetur.
Apo dhe nga ata që nuk pajtohen me mënyrën se si arroganca, hilet dhe papërgjegjshmëria e politikës po e drejtojnë këtë vend. Mund të ketë dhe nga ata që nuk kanë ndonjë simpati për Lulzim Bashën apo PD.
Dhe, ndoshta, mund të kenë të drejtë kur shohin se ende ish drejtues të qeverisë Berisha pa larë gjynahet e tyre do mundohen të jenë nesër protagonistë. Apo dhe më keq akoma,mund të shohësh nesër në miting edhe ata drejtues të PD që haptas apo fshehtas flirtojnë me pushtetin dhe presin që të shohin emrat në listën e ardhshme të deputetëve pa e vrarë mendjen nëse në krye të fletës do të jetë shkruar PD ose PS.
Çdokush ka të drejtë të motivohet apo të bezdiset nga sa më sipër.
Por një motiv mbetet më i qënësishmi për të qenë nesër pjesë e një proteste. Ai i dekriminalizimit të politikës, i këtij pisllëku që e shndërroi parlamentin në vendin ku më mirë se Ilir Meta mund të drejtonte një drejtor burgu. Ku çdo deputet që rrezikon të largohet për krime të bëra apo te fshehura, mund të zëvëndesohet vetëm nga një tjetër me po kaq probleme.
Sepse, listat, janë të tilla që askush nuk të ofron më mundësinë që të jesh pjesë e parlamentit nëse nuk ke qenë më parë i dënuar apo i dyshuar për një krim. Ky mund të jetë një arsye e mirë për të qenë nesër në protestë edhe pse shumë njerëz ende nuk shohin apo ndjejnë motivimin nga opozita. Pak rëndësi ka se kush do të ngjitet nesër në tribunë apo a do të ngjiret Lulzim Basha.
Ajo që i vlen një shoqërie që po i rrënohen vlerat nga një tufë të inkriminuarish në Parlament është fryma kundër banditizmit në politikë. Ndaj, për këtë vlen dhe protesta e nesërme.
Publikuar më parë në Opinion.al