Një bunker, të lutem!

Nga NeQyteti
Një bunker, të lutem!

Dielli i papritur i dhjetorit po shkëlqente në majë të skelës së ngritur rreth Bunkerit të shumëpërfolur. Disa punëtorë të ngathët po lidhnin hekurat e armimit, ndërsa 4-5 turistë hollandezë rrinin përreth, duke fotografuar e komentuar skenën.

I humbur dhe unë në këtë panoramë, befas në mendje më lindi një vegim. Nëse ky bunkeri i fundit, nga qindra mijëra që kemi ndërtuar, do t’ia arrijë qëllimit, turistët do të donin të porositnin një të tillë para se të largoheshin, për ta vendosur në kopshtin pas shtëpisë së tyre dykatëshe, me çati, në Hollandë.

E kështu do të lindnin menjëherë, si zakonisht, qindra kompani të liçensuara në prodhim bunkerësh, që do të donin të përfitonin nga “bingoja” e rradhës. Turistët do të mund të porosisnin bunkerin e tyre, sipas përmasave të dëshiruara, do të parapaguanin dhe kur të ktheheshin nga udhëtimi i tyre në shtëpi do të gjenin të montuar në kopshtin e tyre bunkerin që i kishte mahnitur në Tiranë.

Më në fund, eksperienca jonë e gjatë bunker-bërëse do të sillte mirëqenie!

Ashtu me shikimin e ngulur tek Bunkeri, më feksi një tjetër vegim. Tashmë, Bunkeri ishte hapur për publikun dhe dyndja e madhe e njerëzve, kishte detyruar qeverinë të dërgonte qindra policë për të mbajtur rradhën dhe qetësinë. Nën shkimin e rëndë të policëve, njëri pas tjetrit, njerëzit hynin në një bunker që të çon diku, në vend të bunkerëve të dikurshëm që nuk çonin asgjëkundi.

Më të ardhurat lumë nga biletat, tani mund të ndërtoheshin shtëpi të thjeshta për të pastrehët e të strehuarit pa vend në Tiranë e tjetërkund.

Vegimi i tretë më erdhi teksa një ish i burgosur politik që kaloi pranë filloi të fliste i revoltuar kundër Bunkerit. Ai donte të kuptonte pse ato para me të cilat po ngrihet bunkeri nuk harxhohen që ai të ketë një çati më të mirë mbi kokë.

Ne të tjerët, që patëm fat më të mirë se ai, duam të dimë se pse ajo energji e përbashkët që u harxhua për bunkerët nuk u përdor për rrugë dhe ura.

Këtu më shkrepi vegimi. Studentë të shkëlqyer të inxhinjerisë dhe financiave po vlerësonin së çfarë mund të ishte bërë me paratë dhe energjitë që u deshën për të ndërtuar rreth 700 mijë bunkerët që thonë se u ndërtuan në Shqipëri. Kështu pjesë e kujtesës sonë historike nuk do të ishte vetëm bunkeri si simbol, por edhe mundi që u desh për ato bunkerë dhe ajo së nga çfarë hoqëm dorë për ta mbushur atdheun me bunkerë nga bregu i detit deri në majë të maleve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>