Gjatë një diskutimi të zhvilluar dje në Hagë, me temë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe ndihmës hollandeze të BE-së, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku “ka të drejtën të lëvizë prokurorët” edhe pse kompetencat e saj gjatë periudhës kalimtare janë të kufizuara.
Por në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga Exit.al gjatë diskutimit se cila është baza ligjore ku bazohen ndryshimet e fundit të kryera nga Marku në personelin e prokurorisë, Ministrja Gjonaj nuk qe në gjendje të citonte ndonjë nen apo paragraf ligjor, për të mbështetur pohimin e saj të mëpashëm, dhe ia kaloi pyetjen drejtueses së EURALIUS-it Agnes Bernhard, e cila ishte gjithashtu pjesë e panelit. Bernhard ishte dukshëm në siklet kur deklaroi se:
“Nuk jam unë përgjegjëse për këto pyetje. Nuk jam në dijeni të këtij procesi. Prokurorja e Përgjithshme duhet ta sqarojë vetë këtë.”
Sikurse Exit.al ka shpjeguar më parë, sipas nenit 149/a (1)(a) të Kushtetutës dhe Ligjit numër 96/2016 mbi Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, neni 160(2), Prokurorja e Përgjithshme nuk mund të transferojë apo të emërojë prokurorë deri sa të jetë vendosur Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, pavarësisht kufizimeve ligjore, Marku ka transferuar thuajse të gjithë drejtuesit e prokurorisë, përfshi prokurorët që janë angazhuar në hetimin e politikanëve të lartë, si hetimi i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Diskutimi në Hagë u organizua nga CILC, organizatë holandeze pjesë e konsorciumit që zbaton programin e EURALIUS. Në fakt, zëvendës drejtori i CILC, Eric Vincken, falenderoi Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku për ndryshimet në personel që ajo ka kryer në sistemin e prokurorisë, dhe deklaroi, gjithashtu–në mënyrë të gabuar—se vetingu i policisë ishte pjesë e reformës në drejtësi.
Sikurse Exit.al e ka shpjeguar më parë, vetingu i policisë nuk është nën kompetencën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (OMN) dhe është tërësisht nën kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili, në mënyrë ironike, nuk do ta kalonte dot vetë personalisht procesin e vetingut, për shkak se vëllai i tij është i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Si përgjigjja evituese e Bernhard dhe deklarata e pasaktë e Vincken nxjerrin në pah problemet e shumta që ka mbikëqyrja e huaj ndaj reformës në drejtësi.
Rol të pazëvendësueshëm gjatë debatit pati edhe ish-Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, i cili nuk la mundësi pa shfrytëzuar për të lëvduar qeverinë Rama për përparimin e saj, si dhe për të shpallur veten e tij si mbështetësi më i madh i Shqipërisë:
Unë jam i zhgënjyer me Hollandën sepse ata [deputetët holandezë] nuk kanë kurajo [për të hapur bisedimet me Shqipërinë]. Por kjo është gjëja e duhur që dueht bërë.
Opozita [në Shqipëri] nuk është një opozitë normale, sepse ata i qujanë kundërshtarët e tyre kriminelë.
Shqipëria ka bërë një punë vërtet të mirë. Reforma të jashtëzakonshme janë realizuar dhe ato duhet të shpërblehen.
[Hollanda] është një nga djepët e zbatimit të ligjit dhe ndaj ne duhet të shpërblejmë Shqipërinë.
Komenti i fundit shkaktoi nënqeshje të sikletshme në audiencë, e cila nuk është mësuar me lumenj të tillë lëvdimesh nga ndonjë ish-diplomat, që qartazi nuk ishte në dijeni të situatës së tanishme politike në Shqipëri.
Bosch e mbylli debatin dhe sesionin e pyetje-përgjigjeve duke pyetur nëse kishte gazetarë në audiencën e pranishme. Unë dhe një person tjetër ngjitur me të ngritëm dorën mekanikisht.
Bosch na injoroi dhe u shpreh: “Mirë atëherë, përhapni fjalën sepse ne kemi nevojë të konvertojmë njerëzit.”
Nuk e dija që roli i gazetarisë kritike ishte të “konvertonte njerëz” dhe të përhapte ungjillin e Ramës. Duket se unë nuk e kam marrë memon.