Një deklaratë qesharake dhe kërcimin i pafalshëm i Kryeministrit Rama — Koment

Një deklaratë qesharake dhe kërcimin i pafalshëm i Kryeministrit Rama — Koment

Kryeministri Rama lëshoi, dje, një sulm të ashpër ndaj prokurorisë dhe gjykatave, mbas vendimit të Gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako deri në përfundimin e hetimeve ndaj tij.

Zoti Çako është duke u hetuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të tjera ligjore në lidhje me një pajisje përgjimi telefonash celularë, për të cilën prokuroria dyshon se është futur në vend dhe është përdorur në shkelje të ligjit, përfshi në mungesë të autorizimit nga prokuroria për përdorimin e saj, sikurse e kërkon ligji për pajisjet përgjuese. Qëndrimi i policisë, deri tani, ka qenë se pajisja është marrë hua nga policia italiane dhe është përdorur për qëllime trajnimi.

Në një postim në facebook, Kryeministri i e ka quajtur hetimin e prokurorisë “hetim absurd” dhe “makinacion të rëndomtë”, ndërsa vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të Drejtorit Çako si “çudi” dhe “veprim ekstrem”. Duke ju referuar në mënyrë përçmuese vendimit me fjalën “ndodhi”, Kryemisnitri e ka shfrytëzuar atë për të lëshuar një tjetër kërcënim ndaj sistemit të drejtësisë, duke tundur kartën e reformës në drejtësi e duke u shprehur se kjo gjë “është e pajustifikueshme dhe për Shqipërinë, është një tjetër këmbanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi.”

Në mënyrë të pakuptimtë, qëndrimin e tij për këtë çështje Kryeministri e ka bërë jo për qytetarët e tij, por si ndjesë ndaj qeverisë italiane. Përmes një positimi në Facebook të titulluar “Ndjesë publike Qeverisë Italiane” Kryeministri shprehet se ai është ndjerë i detyruar t’i kërkojë falje qeverisë italiane për “veprimet” e drejtësisë shqiptare, pra për hetimin që prokuroria është duke bërë për nënshtetas dhe institucione shqiptare nën ligjet e Shqipërisë. “Çka ka ndodhur sot me pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimin e dy drejtuesve të saj, më imponon t’i kërkoj ndjesë publikisht qeverisë mike dhe partnere të Italisë” është shprehur Kryeministri.

Ndjesën e tij Kryeministri e ka justifikuar sepse mendimi i tij është se prokuroria shqiptare duhet të ishte mjaftuar “me shpjegimet e dhëna nga Italia përmes ambasadorit italian, pa asnjë detyrim, por vetëm si shprehje e miqësisë së sinqertë dhe vullnetit më të mirë, për të vendosur nën dritën e fakteve legjendën politike të përgjimeve”. Në publik nuk është bërë asnjëherë e ditur ndonjë sqarim i Ambasadorit Italian dhe nuk është e qartë se çfarë ka shpejguar dhe në çfarë kapaciteti i ka bërë ambasadori shpjegimet, duke qënë se kryeministri përdor termin “miqësore” dhe jo “zyrtare”.

Është e paqartë gjithashtu se pse Kryeministri mendon se prokuroria duhet të sillet si një organ politik apo diplomatik i cili duhet të veprojë sipas rregullave të diplomacisë dhe jo sipas ligjeve të vendit.

Në fakt në deklaratën e djeshme të Kryeminsitrit shfaqet e njejta qasje pothuajse e përhershme ekstraligjore dhe ekstrainstitucionale e Zotit Rama. Kryeminsitri nuk jep asnjë arsyetim, asnjë argument apo provë në mbështetje të pretendimeve të tij që prokuroria nuk duhet të hetojë këtë rast. Qëndrimet dhe pohimet e tij janë të zhveshura nga çdo reference apo mbështetje tek kushtetuta, ligjet, apo detyrimet institucionale. Shpjegimet e tij për dukuritë dhe zhvilimet në vend janë përherë shpjegime bazuar në perceptime, anekdota dhe informacione të tipit “ky më tha… dhe unë i thashë”

Edhe në deklaratën e djeshme Zoti Rama ka dhënë opinione, mendime apo ndjenja personale. Madje duke ekzagjeruar deri në nivele qesharake, pasi deklarata e tij ka patur nota patetike dhe ultra-romantike, si për shembull kur thotë se “miqtë tanë [italianë] të provuar në çdo ditë të vështirë të Shqipërisë së këtyre njëzetë e pesë vjetëve, kanë të drejtë të ndjehen të lënduar” nga veprimet e prokurorisë. Në fakt kjo ngjarje nuk ka asnjë rëndësi për qeverinë apo popullin Italian, me përjashtim të bezdisjes apo trupërimit të disa funksionarëve të caktuar italianë pa ndonjë peshë apo rëndësi në çështjet kombëtare të Italisë.

Prandaj edhe deklatata e “ndjesës” ndaj qeverisë Italiane është në rastin më të mirë qesharake dhe në rastin më të keq e turpshme. Kurse përdorimi i këtij rasti për të sulmuar hapur prokurorinë dhe sistemin e drejtësië në një rast kur me sa duket kanë patur një qëndrim plotësisht të ligjshëm, është i pafalshëm për Kryemisnitrin Rama, i cili e ka shndëruar refromën në drejtësi si mjet kërcënimi ndaj drejtësisë për ta ndikuar atë për interesat e veta politike dhe personale.

 

 

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>