Tre persona të një familjeje, në zonën e Vasil Shantos, kanë kërcënuar se do të hidhen nga tarraca e shtëpisë, nëse policia shemb shtëpinë e tyre, e cila preket nga plani për rikonstruksionin e rrugës.
Inspektoriati Urbanistik Vendor ka tentuar të shembë shtëpinë, paraditen e së martës, por kryefamiljari ka goditur me tjegulla drejt punonjësve të INUV-it duke i detyruar ata të tërhiqen për momentin.
Familjarët këmbëngulin se shtëpia e tyre është me dokumente të rregullta dhe shprehen të gatshëm ta lënë shtëpinë vetëm kur të marrin kompensimin e drejtë.
Sipas tyre, bashkia nuk i ka informuar për kompensimin që meritojnë dhe për vendin ku do të jetojnë pasi shtëpia e tyre të prishet.
Deri më tani, INUV ka prishur vetëm një ndërtesë që prekej nga plani për rrugën.