Kjo fushatë elektorale, përveç mungesës së programeve, ideve e debateve mes kandidatëve për kryeministër dhe deputetë, ka zbuluar përpara votuesve shqiptarë “fjalorin” dhe “imagjinatën” e pasur të liderëve politikë.
Gjuha gjithnjë e më banale që po përdoret, veçanërisht muajin e fundit, dhe metaforat, krahasimet e nofkat duket se janë kthyer në argëtim për qytetarët, që gjithnjë e më shumë po i përdorin ato në bisedat e përditshme.
Një shembull i përshtatshëm i përdorimit të metaforave që deri para pak javësh nuk bënin asnjë sens, është deklarata e kryetarit të LSI-së Petrit Vasili:
“Sot ëshë dita që t’i japim përgjigje për tepsinë dhe të panginjurve. Është koha që më planin tonë të shporrim planin e tepsisë dhe timonit.”
Më poshtë po përpiqemi të sqarojmë disa nga termat kyçe të kësaj fushate:
Djali me pantallona doku:
Kështu i referohet kreut të PD-së Lulzim Bashës, Kryeministri Edi Rama duke vënë në pah veshjen që Zoti Basha ka zgjedhur të përdorë më së shumti gjatë kësaj fushatë.
“Kështu i bukur është, por ma prishi pak qejfin me ato pantallonat prej doku, si llogaritar kooperative.”
Ebola
Term i përdorur nga Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, për të përshkruar Rilindjen, qeverisjen e Kryeministrit Rama.
“Ne kemi një sëmundje të tmerrshme të vlerave më të mira shoqërorë, Ebola jonë quhet Rilindje. Ebola jonë është pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë në mijëra vjet. Viktimë e parë e kësaj Ebole është PS-ja.”
Haki Droga
Nofka që drejtuesit e LSI-së i kanë vënë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.
“I them Haki Drogës se është mirë të ndalojë kriminelët që lëvizin me makina policie”, shprehet Monika Kryemadhi, nënkryetarja e LSI-së.
Kapiteni i anijes
Me “kapiten” Kryeministri Rama i drejtohet ish-kryetarit të PS-së Fatos Nano, që deri më parë e kishte quajtur “Robert çimçakizi”.
“Bisedat me Fatosin janë shumë interesante. Është si puna e kapitenit të anijes, që preferon të rrijë në breg dhe të shikojë të tjerët që merren me anijen.”
Lali Eri
Nofka “zyrtare” për Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, përdorur kryesisht nga Kryeministri Edi Rama për ta prezantuar Erion Veliaj si një njeri popullor dhe pranë njerëzve.
“Lali Eri, kryetari fenomenal i Tironës që dum”, shkruan Rama për Erion Veliajn në Facebook.
Lulushi
Nofka që Presidenti i zgjedhur Ilir Meta i ka vendosur Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qoftë te “Lulushi”, qoftë te Policia.”
Marrëveshja e errësirës
Me “marrëveshje të errësirës” LSI i drejtohet marrëveshjes Rama-Basha e nënshkruar në mesnatën e 18 majit dhe që i dha fund bojkotit të opozitës.
Peng
Kryeministri Rama në çdo fjalim a intervistë deklaron se qeveria e tij për katër vjet është mbajtur “peng” nga partitë e vogla.
“Është koha për tu ndarë nga politika që merr peng administratën dhe nga partitë që marrin peng zyra dhe tërheqin zvarrë popullin.”
Shpk
Akronimi i përdorur për termin “Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar”. Termi “shpk” është përdorur si nga Kryeministri Rama, ashtu dhe nga Kreu i PD-së Basha për t’iu referuar LSI-së. Ata shprehen se ashtu si një biznes familjar, LSI ofron vende punë për votuesit e saj në administratën publike.
Lulzim Basha:
“Sh.p.k e tij [Ilir Metës] do shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor.”
Tepsia
Term i përdorur fillimisht nga Kryeministri Rama, por më pas edhe nga Kreu i PD-së Basha. Tepsia shërben si metaforë për administratën shtetërore, e cila sapo del nga furra (zgjedhjet) sulmohet nga partitë për të marrë nga një pjesë: ministri, drejtori apo institucione të tjera.
Edi Rama:
“Kush vjen për koalicion, vjen për program, jo për tepsi. Partitë e tjera duan t’i mbajnë njerëzit e ndarë, sepse sa më shumë t’i ndajnë njerëzit aq më shumë mund të fusin duart në tepsinë e pushtetit.”
Lulzim Basha:
“Partitë e tjera duan t’i mbajnë njerëzit e ndarë, sepse sa më shumë t’i ndajnë njerëzit aq më shumë mund të fusin duart në tepsinë e pushtetit.”
Timoni dhe motori
Timoni është një tjetër metaforë e shpikur nga Kryeministri Rama, që po kërkon me këmbëngulje të fitojë 71 mandate dhe të qeverisë i vetëm, pra ta ketë vetë “timonin” e qeverisë. Në përgjigje të “timonit”, lideri i PD-së Basha ka përdorur “motorin”, për t’iu referuar reformave në ekonomi që do të jenë motori i rimëkëmbjes së vendit.
Edi Rama:
“Timonin e qeverisjes duam ta mbajmë vetë.”
Lulzim Basha:
“Rama e ka mendjen tek timoni, unë e kam mendjen tek motori që është ekonomia.”
Shprehja “ta marrim timonin vetë në dorë” ka prodhuar dhe metafora të tjera si “të mos na ulet njeri në prehër”, shprehje të cilën Ministrja Kodheli e përdori për t’iu drejtuar partive të vogla që pengojnë qeverisjen.