Turqi: Dështon një grusht shteti — Si u zhvilluan ngjarjet

Turqi: Dështon një grusht shteti — Si u zhvilluan ngjarjet

Një grup ushtarakësh, ende të paidentifikuar, deklaruan në mbrëmjen e vonë të së premtes se kishin marrë pushtetin në Turqi, pas një grushti ushtarak shteti.

Deklarata u bë në televizionin shtetëror turk, duke theksuar se ushtria turke po ndërmerrte këtë veprim kundër një qeverie të korruptuar, me qëllim rivendosjen e rendit kushtetues, të drejtave të njeriut dhe të lirive.

Përpjekja për grusht shteti filloi rreth orës 21:30 (ora lokale) me mbylljen e urave kryesore mbi Bosfor të Stambollit dhe marrjen e televizionit shtetëror.

Fillimisht, ushtarakët duket se morën një sërë pozicionesh strategjike, përfshi pallatin presidencial në Stamboll, godina qeveritare, aeroportin e Stambollit, si dhe sheshe dhe rrugë të rëndësishme në Stamboll dhe Ankara.

Pjesëmarrësit në grushtin e shtetit pushtuan edhe zyrat qëndrore të ushtrisë ku mbajtën peng drejtues të lartë të ushtrisë, përfshi ushtarakun më të lartë të vendit, çka tregoi se grushti i shtetit nuk kishte mbështetjen e ushtrisë.

Rreth orës 22:00, Kryeministrit Turk pranoi se kishte një përpjekje të armatosur për marrjen e pushtetit, por theksoi se qeveria ishte nën kontroll dhe autorët do të merrnin dënimin më të rëndë.

Më pas u raportuan një sërë përplasjesh mes ushtarakëve dhe forcave të sigurisë. CNN Turk njoftoi se një avion ushtarak proqeveritar rrëzoi një helikopter të ushtarakëve. Disa media raportuan se ushtarët kishin sulmuar një qendër policie pranë Ankarasë duke vrarë rreth 17 policë.

Rreth orës 23:00, ushtarakët deklaruan se kishin vënë nën kontroll të plotë gjithë vendin dhe Turqia po qeverisej nga një “këshill i paqes”, qëllimi i të cilit ishte të rikthente rendin demokratik, duke larguar një qeveri e cila ka korruptuar thelbin demokratik dhe sekular të vendit.

Ata deklaruan se kishin shpallur ligjin e luftës dhe ju bënë thirrje qytetarëve të qëndronin brenda shtëpive.

Ndërkohë, qeveria turke bllokoi menjëherë qasjen në rrjetet sociale në një përpjekje të suksesshme për të ndaluar përhapjen e mbështetjes popullore për grushtin e shtetit.

Shumë udhëheqës politikë turq, përfshi kundërshtarë dhe kritikë me Erdoganin, e dënuan menjëherë grushtin e shtetit duke e quajtur të paligjshëm dhe të papajtueshëm me demokracinë.

Shumë intelektualë dhe komentatorë politikë turq u shprehën se ishte e paimagjinueshme që në një vend të NATO-s, aktualisht me ushtrinë e dytë me të madhe të organizatës, të merrej pushteti me një grusht ushtarak shteti.

Shumë qytetarë filluan të dilnin në rrugë, veçanërisht në Stamboll.

Ndërkohë, u bë e qartë se grushti i shtetit nuk ishte përpjekje e gjithë ushtrisë, ndërkohë që të gjitha forcat policore dhe të sigurisë ishin rreshtuar pro qeverisë.

Rreth orës 23:25, Presidenti Erdogan, i cili ishte me pushime në Marmara, deklaroi në një komunikim telefonik me FaceTime me kanalin CNN Turk se grushti i shtetit ishte përpjekje e një fraksioni të vogël brenda ushtrisë dhe ai do të shtypej shumë shpejt.

Ai u bëri thirrje qytetarëve turq të dilnin në rrugë, sheshe dhe aeroporte për të sfiduar dhe ndaluar grushtin e shtetit. Euronews raportoi se mesazhi i tij u mbështet dhe u përcoll nga minare dhe xhami, veçanërisht në veri të Turqisë.

Dhjetëra mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së Presidentit Erdogan dhe marshuan në rrugë dhe sheshe duke shprehur mbështetjen e tyre për qeverinë dhe sfiduar ushtarët. Protestuesit sulmuan tanket dhe mjetet ushtarake dhe morën nën kontroll shumë prej tyre. Shumë sheshe dhe aroporti i Stambollit u pushtuan nga qytetareët.

Protestuesit proqeveritarë pushtuan, gjithashtu, televizionin shtetëror turk, ku gazetarja që lexoi fillimisht deklaratën e grushtit të shtetit deklaroi se ajo ishte detyruar me forcë për ta lexuar atë.

Dalja në rrugë e turmave të mëdha proqeveritare dhe mungesa e dukshme e mbështetjes publike për grushtin e shtetit duket se e ndryshoi rrjedhën e tij. Vendimi i ushtarakëve për të mos ushtruar dhunë mbi qytetarët duket se shuajti çdo mundësi për suksesin e përpjekjes së tyre për marrjen e pushtetit.

Disa media raportuan se në shumë qytete forcat ushtarake u tërhoqën menjëherë pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, të cilat kryen arrestime të ushtarakëve pjesëmarrës në grushtin e shtetit.

Rreth orës 3:4o të mëngjesit një zëdhënës i forcave të sigurisë deklaroi se grushti i shtetit ishte shtypur. Reuters dhe disa media të tjera ndërkombëtare raportuan se rreth qindra ushtarët që ruanin Sheshin Taksim, sheshin kryesor të Stambollit, dhe urat që lidhnin Azinë me Europën u dorëzuan tek forcat e sigurisë.

Rreth orës 4:00 të mëngjesit u raportua se Presidenti Erdogan mbërriti në Stamboll duke fluturuar në Aeroportin Ataturk. Rreth orës 4:20 ai iu drejtua popullit turk.

Në momentet e para të grushtit të shtetit, qeveritë e huaja u treguan të kujdesshme dhe nuk bënë deklarata direkte, përjashto Katarin që e dënoi direkt grushtin e shtetit.

Shtëpia e Bardhë bëri thirrje që të gjitha palët të respektonin strukturat e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe të shmangin dhunën. Qeveria gjermane deklaroi, gjithashtu, se në Turqi duhet të ruhej rendi demokratik. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, po ashtu, bëri thirrje për respektimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>