Për ca komplimenta – Koment

Për ca komplimenta – Koment

Tashmë, është e sigurtë se Shqipëria ka vendosur të pranojë rreth 3 mijë muxhahedinë iranianë—750 prej të cilëve kanë ardhur prej kohe në Shqipëri dhe janë sistemuar në një kamp të posaçëm, në afërsi të Gërdecit.

Në këtë mënyrë, qeveria jonë u ka zgjidhur SHBA-ve një nga kokëçarjet më të mëdha të tërheqjes së tyre nga Iraku: sistemimin, në një vend të tretë, të mijëra muxhahedinëve iranianë, që SHBA-të i mbanin në një kamp të mbrojtur në Bagdad, për t’i shpëtuar nga persekutimi dhe, ndoshta, eleminimi fizik nga irakenët.

Qeveria amerikane kishte kërkuar prej vitesh t’i shpërndante iranianët në vende të ndryshme, por asnjë vend nuk pranoi t’i merrte, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ata mund të paraqesin. (Për më tepër lexo: Loja e rrezikshme e Shqipërisë me muxhahedinët iranianë)

Qeveria jonë e ka marrë përsipër këtë rrezik, duke pranuar në territorin tonë, praktikisht, një “minë me sahat”.

Vizita e Sekretarit Kerri dhe komplimentet e tij publikë për Kryeministrin Rama, me shumë gjasa, qe shpërblimi që qeveria amerikane i bëri atij për këtë favor.

Është një shkëmbim jashtëzakonisht i leverdisshëm dhe pa komplikime për amerikanët: ca fjalë të bukura, që i merr era, në favor të një Kryeministri të korruptuar e megalloman, për të zgjidhur një problem të madh që nuk jua zgjidhte askush.

Tre vite më parë, gjatë negociatave për pranimin e armëve kimike, u bë e ditur se, në shkëmbim të pranimit të armëve, Kryeministri Rama kishte kërkuar një telefonatë me Presidentin Obama dhe një ftesë për në Shtëpinë e Bardhë.

Për t’ja garantuar këtë gjë, Presidenti Obama i shkroi letër Kryeministrit Rama ku, ndër të tjera, i shprehte dëshirën për ta ftuar për vizitë zyrtare në SHBA. Letra nuk u bë publike nga Kryeminsitri ynë, por pasi ajo u përfol në media, ai u detyrua të pranonte ekzistencën e saj.

Nuk do ishte habi që, më në fund, kjo ftesë të vijë. Këtë herë, Kryeministri Rama e ka “merituar” më shumë; ndërsa, për armët kimike Shqipëria do të merrte përsipër një rrezik, por edhe financime të mëdha, në rastin e muxhahedinëve ka marrë vetëm rrezikun.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>