Disa media kanë botuar dje një histori interesante, që është shëmbëlltyrë domethënëse e gjendjes së vështirë ku ndodhet reforma në drejtësi dhe në përgjithësi burokracia e vendit.
Një nga shtatë kandidatët e pyetur në Kuvend për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, Prokurori Artur Selmani, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, në deklaratat e tij të pasurisë deklaron për tre vite rresht (nga 2007 në 2009) se ka fituar shuma të majme, përkatësisht katër mijë euro, dy mijë euro dhe sërish katër mijë euro në lojrat e fatit.
Lojrat e fatit në Shqipëri janë të ligjshme dhe praktikohen në mënyrë obsesive edhe nga shumë politikanë, ndërsa ka politikanë të tjerë që kanë bashkëpronësi apo përfitime të tjera biznesi me kompanitë e licensuara për këtë lloj biznesi.
Në të njëjtën mënyrë lojrat e fatit, ose më saktë fitimet e përfituara përmes lojrave të fatit janë një sistem shumë i mirë i riciklimit të parave të pista, sepse të lejojnë të justifikosh pasurinë duke e shpjeguar më një faturë të thjeshtë të ndonjë kompanie që administron këto lojra. Përdorimi disa herë i këtij lloj justifikimi të pasurisë përbën, në çdo vend normal perëndimor, një sinjal alarmi për pastrim të mundshëm parash, edhe pse shifrat në këtë rast nuk duken shumë të mëdha.
Për më tepër, në një vend normal frekuentimi i vazhdueshëm i lojrave të fatit është shenjë e dyshimtë për besueshmërinë e një personi që mban një detyrë shoqërisht delikate si ajo e prokurorit, por me sa duket në Shqipëri kjo nuk shkakton asnjë lloj alarmi.
Çuditërisht prokurori Selmani ka aplikuar për vendin e ri të hapur në sistemin e drejtësisë, i vetmi që nuk parashikon procesin e vetingut.
Edhe gjashtë kandidaturat e tjera për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm duket se paraqesin probleme, të paktën nga pikëpamja e pasurisë. Të gjithë janë pronarë të pasurive shumë më të mëdha se nga ato që normalisht duhet të kishin. Ata kanë deklaruar shumë apartamente në pronësi, ndërsa njëri prej tyre ka ndryshuar disa makina luksi vetëm gjatë tre viteve të fundit.
Pavarësisht kësaj, qeveria këmbëngul në përpjekjen e saj për të dhunuar Kushtetutën, e refuzuar dhe e kundërshtuar nga të gjitha forcat politike në Kuvend, për të detyruar një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, të paparashikuar në asnjë ligj dhe pa kaluar në procesin e vetingut, por me pushtetin për të kushtëzuar vazhdimin e vetingut për çdo prokuror tjetër.