Një komision i pavarur nuk do të rikthejë kohën e humbur

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Një komision i pavarur nuk do të rikthejë kohën e humbur

Komisioni i ligjeve në Parlament diskutoi sot krijimin e një komisioni të pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.

Ky komision i pavarur do të zgjidhet vetëm nga shumica socialiste, pasi 5 anëtarët e tij do të zgjidhen nga radhët e juristëve, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe profesorëve me shumicë të thjeshtë gjatë një votimi të fshehtë. Anëtarët e komisionit do të përzgjidhen nga një listë e përgatitur nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, që është në drejtimin dhe kontrollin e shumicës socialiste. Kështu duket se, pavarësia është, le të themi, relative.

Por ajo që është më e jashtëzakonshme në lidhje me këtë komision të pavarur është se roli i tij do të jetë tërësisht i parëndësishëm. Sipas projekt-vendimit, komisioni do të “monitorojë proceset e përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe të sigurojë që kjo të ndodhë brenda “afateve të përcaktuara ligjore”.

Sipas Ligjit 115/2016, neni 1, organet qeverisëse në fjalë përfshijnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj), Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë (KED).

Le të fillojmë me faktin se formimi i KLP dhe KLGj, sipas Kushtetutës, neni 179, duhet të ketë ndodhur që në shkurt të vitit 2017. Jemi më shumë se një vit pas afatit ligjor dhe nuk është nevoja që të ngrihet një komision i pavarur për të nxjerrë këtë përfundim.

Megjithatë, Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe deputetja Klotilda Bushka, që kanë hartuar relacionin shoqërues të vendimit, shkruajnë aty, pa ndjerë fare turp, se”Moszbatimi i afateve dhe procedura konkrete, qoftë nga një institucion, ndikon në ecurinë dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit të zbatimit me sukses të reformës në drejtësi “.

Për më tepër, anëtarët nga radhët e avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe shoqërisë civile të KLP-së dhe KLGj-së janë zgjedhur tashmë nga Parlamenti, në një proces zgjedhor që është shoqëruar me shkelje ligjore dhe zgjedhje të kandidatëve të pakualifikuar. Pra, nuk ka më asgjë për tu kontrolluar nga  ndonjë Komision i Pavarur.

Po ashtu, anëtarët e KLP, KLGj, ILD dhe KED që ende janë për tu zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë duke iu nënshtruar procesit të vetingut.  Deri më tani vetëm një kandidate për KED (Fatjona Memçaj) dhe një për KLGj (Manjola Xhaxho) kanë arritur të kalojnë verifikimin. Pesë kandidatë të tjerë për organet qeverisëse janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK). Ndërkohë 41 kandidatë ende mbeten për t’u vëzhguar, në një proces që EURALIUS ka vlerësuar se nuk do të marrë deri në fund të vitit 2018. Në këtë proces të tej zgjatur nuk ka asnjë rol që mund të luhet nga parlamenti apo ndonjë komision i pavarur.

Atëherë cili do të jetë roli i këtij Komisioni të Pavarur të zgjedhur nga Partia Socialiste? Kriteret që duhet të kënë anëtarët e komisionit mund të na japin një indikacion: 10 vjet pa përfshirje politike; Diplomë master ose më e lartë në juridik; 15 vjet përvojë pune; me autoritet të lartë moral, etj.

Me fjalë të tjera, pikërisht të njëjtat kualifikime që janë të nevojshme për t’u kualifikuar si anëtarë i KLP-së ose KLGj-së.

Pra, meqë ky Komision i Pavarur do të ketë zero punë deri sa Parlamenti të zgjedhë dhe të emërojë anëtarët e mbetur të KLP dhe KLGj – gjë që nuk pritet të ndodhë para vitit 2019 – nga një listë që zor se do jetë më e gjatë se sa numri i vendeve të lira, komisioni i pavarur do të shërbejë si një sallë pritjeje për ata elementë që nuk mundën të zgjidhen në ndonjë nga organet drejtuese, dhe të gjithë do të paguhen nga paratë e taskapaguesve shqiptarë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>