Një leksion amerikan për Erion Veliajn

Një leksion amerikan për Erion Veliajn

“Një gjë që kam kuptuar nga kjo punë [e kryebashkiakut të Tiranës] është se ti mund të kesh idetë më të mira, mund ta kesh Bashkinë si një makineri që do t’i fusë të pestin dhe të eci përpara, por shoqëria jonë akoma është një shoqëri tradicionale, do shumë të sajdiset, ti shpjegohen gjërat ndoshta 1, 3, 15 herë krahasuar me një qytet avangardë në perëndim. Këtë gjë nuk e bëra mirë në fillim, eca shumë shpejt me projektet pa kaluar kohë me sajdis njerëzit.”

Kështu deklaroi kryebashkiaku Veliaj, dy ditë më parë, në një intervistë për Vizion Plus.

Në fakt, informimi dhe konsultimi publik është tregues i shoqërive moderne në perëndimore. Mjaftojmë t’i kujtojmë Kryebashkiakut Veliaj shembullin e ndërtimit të zyrave qendrore të një prej kompanive më të mëdha në botë të kompjuterave, Apple, në San Francisko të SHBA-ve.

Kompania i pagoi qytetit miliona dollarë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe priti rreth 6 vjet përpara se Këshilli Bashkiak të miratonte lejen për ndërtim.

Steve Jobs, drejtuesi i mëparshëm i kompanisë, në prill të 2006-ës, njoftoi këshillin bashkiak të qytetit të Kupertinos se kompania Apple kishte blerë nëntë prona për të ndërtuar zyrat qendrore të saj. Për 5 vjet rresht kompania plotësoi të gjithë dokumentet e nevojshme dhe në qershor 2011 paraqiti detajet e projektit para Këshillit Bashkiak të Kupertinos.

Projekti ishte shumë inovativ dhe sillte një fluks të lartë punonjësish në qytet, që më pas përktheheshin në fitime për bizneset e zonës. Por Këshilli Bashkiak nuk e miratoi projektin e Apple edhe pse ajo është një prej taksapaguesve më të mëdhaja të qytetit, pasi projekti binte ndesh me interesat e qytetarëve të Kupertinos.

Fluksi i madh i punonjësve do të rëndonte transportin, trafikun dhe parkimin për gjithë pjesën tjetër të qytetit. Hapësirat publike do të mbi populloheshin dhe do të krijoheshin probleme me strehimin dhe sigurinë.

U deshën më shumë se dy vite negociata mes kompanisë Apple, këshillit bashkiak dhe qytetarëve që të arrihej në një marrëveshje ku në plan të parë vendoseshin nevojat e qytetit dhe interesi publik.

Kështu Apple e mori lejen nga Këshilli për të ndërtuar kampusin në tetor të vitit 2013, pasi dhuroi 8.2 milionë dollarë për ndërtimin e një parku të ri; ndihmoi në hartimin e një plani që adreson shqetësimin e qytetarëve për trafikun dhe parkimin; siguroi infrastrukturën për transportin publik të punonjësve të saj; kreu studime bëshmërie për projektet e bashkisë për të përmirësuar transportin publik dhe pranoi të paguante dy fishin e taksava dhe tarifave.

Pra edhe në një qytet si Kupertino, për të cilin dhe Kryebashkiaku Veliaj e ka të qartë se nuk bëhet fjalë për shoqëri tradicionale e të prapambetur, zëri, llogaridhënia dhe mirëqënia e qytetarëve është më e rëndësishme edhe se kompania më e rëndësishme në botë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>