Një lëvizje konservatore për të ndalur vrullin e vizionit të Ramës për Shqipërinë

Nga Vehap Kola
Një lëvizje konservatore për të ndalur vrullin e vizionit të Ramës për Shqipërinë

Ka dy ide themelore për mënyrën se si duhet të jetojë shoqëria njerëzore. E para është ideja e konservimit të trashëgimisë shpirtërore, morale, politike dhe materiale. E dyta ajo e përparimit, ndryshimit të pandalur dhe zëvendësimit të të vjetrës simbolike me të renë funksionale.

Le të fillojmë nga kjo e dyta, pasi ajo na ndihmon të kuptojmë se si erdhëm deri këtu.

Një ndër argumentat më të njohur të politologes Hanah Arendt është ai se socializmi dhe liberalizmi janë dy anët e të njëjtës medalje. Të dy përkojnë me familjen ideologjike të progresizmit dhe premtojnë utopinë si destinacion. Për socializmin, fati i premtuar njerëzimit është komunizmi, ku njerëzit punojnë sa të kenë mundësi dhe marrin aq sa kanë nevojë. Për liberalizmin, është fundi i historisë ose demokracia liberale. I vetmi dallim që i shquan nga njëri-tjetri është metoda e përmbushjes së utopisë. I pari ofron revolucionin, i dyti tregun.

Ndryshimet politike të fillimit të viteve 1990 në Shqipëri ishin në thelb një ndryshim i metodës, jo i drejtimit të lëvizjes. Nëse duke nisur nga vitit 1945 vendi ynë PËRPARONTE sipas frymës së revolucionit proletar, dyzet e pesë vite më vonë, kur të gjitha bateritë e lëvizjes ishin boshatisur nga energjia, u pa e udhës që PËRPARIMI të vijonte sipas idesë së tregut. Pra, demokracia në Shqipëri, si shumëkund në Europën Lindore, erdhi si vazhdimësi e diktaturës komuniste në forma të tjera.

Të vetëdijshëm për rolin e heshtur rezistues të kulturës materiale, krahas institucioneve morale e sociale, komunistët zhdukën pjesën më të madhe të gjurmëve qytetërimore të trashëguara nga brezat e shkuar. Rreth 2200 xhami, kisha dhe teqe, hamame, puse e çezma u rrënuan. Lagje të tëra tradicionale u rrafshuan dhe mbi to u ngritën gërdallat e përhimta të progresit teknik e shkencor.

U shkulën nga fizionomia e qyteteve Pazari i Vjetër i Tiranës dhe ai i Shkodrës. Në këto lagje tregtare mund të blije arka nusërie me ngjyra e dizajn venecian, fruta të stinës nga teqetë bektashiane, të peshoje drithin me okë, të zgjidhje armën që i shkonte për shtat karizmës dhe nevojës së të zotit, të shisje lëkurë, djathë apo peshk të freskët, dhe të ndaleshe për drekë në gjelltoren e një ortodoksi. Rruginat dhe kthinat e shtruara me kalldrëm të çonin tek kafeneja apo hani, tek dyqanet e aristokratëve, shitësit e copërave dhe puset me ujë të ftohtë.

U hodhën në tokë në mënyrë të pamëshirshme Kisha Ortodokse dhe Xhamia e Sulejman Pashës në Tiranë, u hodh në erë Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës etj. U shpërfytyruan mijëra tempuj, që u shndërruan në stalla kuajsh, dyqane, magazina apo ofiçina për nevojat e industrisë shtetërore.

Pallatet dhe viletat e aristokracisë dhe tregëtarëve u konfiskuan nga regjimi dhe u shndërruan në zyra të ngrira për burokracinë apo në rezidenca për udhëheqjen e Partisë së Punës. Në tërësi gjithçka u zëvendësua me ndërtimet kuboidike të zymta të pallateve parafabrikate dhe asfalti i njëtrajtshëm.

Kështu u çrrënjos një ansambël i paçmuar i trashëgimisë kulturore materiale dhe u fshi memoria shpirtërore e humane disashekullore e një populli të tërë.

Por, për mrekulli disa objekte të rëndësishme të kësaj epoke urbanizimi i shpëtuan asaj batice shkatërrimtare dhe iu rikthyen përgjithësisht funksioneve të tyre origjinale. Disapak kisha, xhami, teqe, ansambli i ministrive nga periudha e Mbretërisë dhe Teatri Kombëtar mbetën si të vetmet fije të një lidhjeje sado të fragmentuar me një epokë të papërfytyrueshme për njeriun e ri socialist.

Demokracia shqiptare, si vazhdim i komunizmit me metoda të tjera, nuk u tregua më pak e rrëmbyer në ngarendjen për të zëvendësuar të vjetrën me të renë. Çuditërisht, liberalizmi në Shqipëri nuk preku deri më sot asnjë gjurmë urbane të periudhës së diktaturës. Ndezja e motorëve të industrisë së ndërtimit në fillim të viteve 2000, edhe për arsye të thjeshta ekonomike, pra liberale, mori në shenjë lagjet tradicionale dhe ndërtimet e periudhës së Mbretërisë apo pushtimit Italian.

clock tower mosque

Prishja e Teatrit Kombëtar në Tiranë ka shkaktuar një valë zemërimi tek qytetarët. Pavarësisht tezave kaotike të hedhura në mbrojtje të Teatrit, zemërata e gjerë që shpërtheu ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt është dëshmi shumë shpresëdhënëse se në këtë përplasje triumfoi argumenti politik mbi sentimentin e përveçëm ndaj arkiktekturës, barrës kulturore apo kujtesës artistike që hera-herës ngrinte krye përpara mikrofonëve apo altoparlantëve të aktivistëve. Sepse ruajtja apo prishja e Teatrit për ta zëvendësuar me një të ri është thelbësisht një ndeshje politike.

Në debatin publik shqiptar para dhe pas rënies të regjimit ideja e ndryshimit, përparimit dhe e të resë ka dominuar mbi idenë e konservimit dhe restaurimit. Kësisoj, progresi e ka mundur konservimin për të paktën 75 vitet e fundit. Është ky triumf që i krijon një shtrat të rehatshëm vizionit futurist të Edi Ramës për qytetin e Tiranës dhe hapësirën publike në të gjithë Shqipërinë.

 Prandaj, nuk kishte si të ndodhte ndryshe as me Teatrin. Një publik jomiqësor me idenë e ruajtjes së të vjetrës dhe restaurimit të saj dhe kaq i ngjashënjyer nga grishja për ndryshim dhe ngritjes së të resë mbi rrënojat e të vjetrës do të refuzonte çdo thirrje për të mbrojtur atë vepër me ngarkesë simbolike aq të fuqishme.

Po të mos ishte për pozicionimin politik pro dhe kundër babëzisë së Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të vendosur mbi çdo gjë të përbashkët dhe publike, prishja e Teatrit nuk do të kishte shkaktuar kaq shumë mllef. Sepse, për fat të keq, Shqipërisë i mungon një alternativë politike konservatore që vendimmarrjen për mënyrën se si duhet jetuar e trajtësuar e përbashkëta nuk ia njeh vetëm brezit aktual. Vendit i mungon një ligjërim publik dhe një formacion politik që këtë të drejtë e shpërndan ndërmjet të vdekurve, të gjallëve dhe të palindurve.

Mungesa e konservatorizmit në skenën politike i ka lënë shqiptarët të zgjedhin ndërmjet ndryshimit me shtypje me dhunë të ndërgjegjes ose me korruptim të saj me para. Pa zërin konservator në debatin dhe vendimmarrjen publike, qytetarët e vendit më të varfër të Europës po i shterrojnë burimet e tyre natyrore për interesat e një klubi oligarkik, duke mos u lënë asgjë brezave të mëvonshëm. Pa frymën e mbrojtjes dhe restaurimit të trashëgimisë, një prej popujve më të vjetër të Ballkanit po fshin me shpejtësi tipike progresiste të gjithë gjurmët kulturore, shpirtërore e estetike nga hapësira e publike.

Teatri Kombëtar nuk ishte i pari dhe nuk do të jetë i fundit element i pambrojtur i kulturës materiale të Shqipërisë. Sharlatanizmat e lëvizjeve të reja të të majtës apo amullia botëkuptimore e të djathtëve nuk mund të durojnë më shumë se një flluskë përballë presionit real të tiranisë së dhunës apo tregut. Pa një lëvizje restauratore në të gjitha rrafshet e ligjërimit dhe hapësirës publike radha e rënies do t’u vijë shpejt Kullës së Sahatit, Xhamisë “Et’hem Beu”, Bankës, Teatrit të Kukullave, Korpusit Universitar e madje edhe vetë krijesave të vjetëruara të progresit si Pallati i shëmtuar i Kulturës apo Muzeu Historik. Kështu e reja revolucionare do të shënojë ngadhënjimet e saj të radhës mbi trashëgiminë që na lidh me origjinën dhe na bën njerëz.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>