Një muaj para zgjedhjeve, Rusia shpall ‘agjent të huaj’ organizatën monitoruese

Nga Exit News
Një muaj para zgjedhjeve, Rusia shpall ‘agjent të huaj’ organizatën monitoruese

Monitoruesi i pavarur i zgjedhjeve në Rusi, Golos, është etiketuar si agjent i huaj një muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Sipas ligjeve të reja të miratuara në Rusi, organiziatat që etiketohen si agjentë të huaj mbyllen dhe anëtarët e tyre rrezikojnë të dënohen me burg.

Golos publikoi raste manipulimi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 në Rusi dhe kreu i saj është zotuar se do të vazhdojë punën e tij në zgjedhjet e shtatorit.

Partia Rusia e Bashkuar e Presidentit Vladimir Putin ka rënë në popullaritet, por po synon të ruajë shumicën e saj, raporton BBC.

Figurat e opozitës janë vënë në shënjestër, me kritikun e Kremlinit Alexei Navalny në burg ndërsa aleatët e tij nuk janë në gjendje të kandidojnë.

Në qershor një gjykatë në Moskë ndaloi Fondacionin Anti-Korrupsion të Navalny dhe organizata të tjera rajonale duke i etiketuar si “ekstremiste”. Kjo do të thoshte që çdokush që mbështet publikisht rrjetin politik të Navalny mund të ndalohet të kandidojë për poste publike.

E formuar në vitin 2000 si një organizatë joqeveritare, Golos u shpall agjent i huaj në 2013, por më pas u bë një lëvizje civile e paregjistruar.

Tani është bërë grupi i parë në një listë të re të agjentëve të huaj që mbulon grupet e paregjistruara, me sa duket për shkak të financimit nga një qytetar armen.

“Kjo është një përpjekje për të parandaluar qytetarët rusë që të ushtrojnë të drejtën e tyre,” tha bashkë-kryesuesi i Golos, Grigory Melkonyants.

LEXO  Rusia dëbon diplomatë nga Gjermania, Suedia dhe Polonia për pjesëmarrje në protesta

OSBE tha se nuk do të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet e muajit të ardhshëm për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet ruse.

Më vete, ministria e jashtme e Rusisë ka akuzuar vendet perëndimore se po përpiqen të ndikojnë në fushatën zgjedhore.

Në fillim të këtij muaji, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili është vetë një kandidat kryesor i Rusisë së Bashkuar, akuzoi Perëndimin se ka përdorur “organizatat ndërkombëtare për ta bërë të vështirë mbajtjen e zgjedhjeve në çdo mënyrë të mundshme”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme