Një ‘Natë e Bardhë’ për demokracinë

Nga Gentian Gaba
Një ‘Natë e Bardhë’ për demokracinë

Nëpër botë, ‘Nata e Bardhë’ është një mbrëmje kulturore. Një festival i qytetarisë që, në muzg vërshon nëpër rrugë, muze dhe koncerte. Një moment socializimi, që ka hyrë edhe në traditën shqiptare, por që me përthyerjet e këtushme është kthyer në një takim për turmat e frustruara të Tiranës, të cilat ngarendin në kërkim të shfrenimit të pafundmë në lokalet e natës.

Për herë të parë këtë traditë të ahengut do ta përmbysë opozita shqiptare, e cila sot në muzg ka thirrur protestën e radhës. Jo një risi totale, pasi në të këtillë orë u protestua përpara disa javësh, kur Parlamenti u thirr në terr për t’i bishtnuar presionit opozitar.

Megjithatë, një formë e re që i jep ‘Natës së Bardhë’ dimensionin kulturor, sigurisht të një kulture të veçantë – atë të protestës. Një kulturë që opozita e ka kthyer në kredo, me të cilën nuk sfidon vetëm pushtetin absolut të kryeministrit, por edhe flegmatizmin dhe indiferencën tashmë të rrënjosura në kulturën tonë politike.

Protestat e deritanishme e kanë kryer funksionin sensibilizues, pasi numrat e atyre që zbresin në shesh dhe sondazhet që konfirmojnë epërsinë e opozitës së bashkuar tregojnë një ndërgjegjësim në rritje ndaj kauzës opozitare. Sidoqoftë, sot do të shënohet një tjetër etapë e këtij procesi, i cili, me gjasë, do të ngushtojë edhe më shumë numrin e atyre që janë ‘pa diferencë’. Atyre që ndjekin me apati rrokopujën e gjësë publike, nën refrenin e dyshimit: ‘Janë të gjithë njësoj’. Të pavetëdijshëm për ‘rreziqet e indiferencës’. Për këtë të fundit, Elie Wiesel, dokumentues i tmerreve të Holokaustit, ka thënë se është një ‘gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme, në të cilën mjegullohet kufiri midis dritës dhe territ, midis muzgut dhe agimit, midis krimit dhe ndëshkimit, midis mizorisë dhe mëshirës e midis të mirës dhe të keqes’. Në historinë e njerëzimit, edhe atë të diktaturës sonë apo kthesave të papritura të tranzicionit shqiptar, kjo gjendje shpërfillëse nuk ka ndihmuar asnjëherë viktimat apo pësuesit të keqqeverisjes, por agresorët dhe abuzuesit.

Gjithsesi, kjo ‘Natë e Bardhë’ nuk do të jetë vetëm e shqiptarëve. Protesta të tjera do të ketë sot në Beograd dhe Podgoricë. Sigurisht, të ndryshme nga njëra-tjetra – në Serbi prej muajsh protestojnë çdo të shtunë – protestat bashkohen në shënjestrën e tyre: Korrupsioni dhe autokracia qeveritare, që pengon jetën demokratike. Kërcënuesit e kapur me kthetra pas pushtetit absolut fshihen me sokëllimën e vjetër të ‘rrezikut të jashtëm’. Një rrezik që ekziston vetëm në retorikën e atyre që ofrojnë stabilitet dhe në këmbim marrin aprovimin ndërkombëtar për fasadën demokratike me të cilën veshin autoritarizmin.

Sigurisht, përtej stinës, kjo nuk është një ‘pranverë ballkanase’, sikurse po përshkruhet në mediat e huaja. Protestat nuk janë as të dhunshme (kur ka dhunë nuk është asfare e afërt me atë që shohim në Francë apo Greqi, ose ajo që përfshiu botën arabe), nuk kanë as trajtat e grushtit të shtetit, por janë britma qytetare që kërkojnë forma qeverisëse më pranë modeleve europiane.

Pra këmbana të forta alarmi për perëndimin se, për të perifrazuar Hamletin, ‘njeriun që përbuzi botën e bërë pis nga vesi dhe shëmtia e sjelljeve njerëzore’: “Diçka është e kalbur në Ballkan”. Dhe në gjirin e kësaj ‘Nate të Bardhë’ të demokracisë edhe një herë do të lindin pyetje të shumta në kancelaritë perëndimore mbi modelet që po mbështesin në rajon. Ndonëse prej shumë kohe e kanë ‘humbur pafajësinë’ me qëndrimet e tyre, kur sot të shohin qytetarët të ngrihen për më shumë Europë, le ‘të mos të pyesin për kë bien kambanat, sepse ato bien edhe për ata’.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>