Rreth një në tre familje shqiptare kanë marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë. Të dhënat deri në gjysmën e parë të vitit 2018 tregojnë se 28 për qind e familjeve janë kredimarrësë.
Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë, 40 për qind e këtyre familjeve që kanë marrë kredi deklarojnë përkeqësimin e aftësisë paguese të tyre.
Pjesa më e madhe e këtyre familjeve shprehen se nuk presin përmirësim në aftësinë e tyre paguese gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit.
Ndërkohë, raporti tregon se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, numri i të punësuarve ka rënë në terma vjetorë, kryesisht për shkak të rënies së punësimit në sektorin shtetëror, ndërsa numri i të punësuarve në sektori privat dhe vetëpunësimi është rritur lehtë.
Raporti i Bankës së Shqipërisë thekson se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të kredisë konsumatore (me 5 për qind), ndërsa kredia për pasuri të paluajtshme (që zë 63 për qind të kredisë për individë) nuk ka ndryshuar gjatë kësaj periudhe.