Një pallat 16-katësh do të ndërtohet në hapësirën ku deri në shkur 2020 ndodhej vila e vjetër e barit Dada në zonën e ish-Bllokut.
Leja e ndërtimit për këtë godinë, e cila do të quhet City Hotel, është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye kryeministrin Rama në tetor 2019 për sipërmarrësin Agim Zeqo.
Pallati po ndërtohet nga kompania ‘Nova Construction 2012’, në pronësi të Ilir dhe Kujtim Shtufit.
Projekti është projektuar nga studio arkitekturore Archea Associati e arkitektit italian Marco Casamonti, i njëjti arkitekt që projektoi stadiumin me kullë në Tiranë dhe i njohur për afërsinë me kryeministrin Rama.
Pallati parashikohet të ketë 4 kate nën tokë dhe 12 kate mbi tokë. Në renderat rrethues të sheshit të ndërtimit, dallohet stili i ngjashëm i godinës City Hotel me godinën prej 10 vitesh të pambaruar ‘Forever Green’ përballë kishës ortodokse. Projekti i kësaj godine po ashtu është hartuar nga arkitekti Casamonti. Të dyja godinat karakterizohen nga vendosja e çrregullt e dritareve dhe vendosja e pemëve në tarracë.
Godina do të jetë shumëfunksionale me hapësira për bizneset dhe për të banuar.
Punimet pritet të zgjasin 4 vjet.
Aktualisht në rrugicat e ngushta të ish-Bllokut po ndërtohet dhe 3 kulla të tjera:
Një pallat 13-katësh ka nisur ndërtimin në ish-vilën e Universiteti jopublik Metropolitan,
Pak metra me tutje, ka nisur ndërtimin Blloku Cube, kompleksi shumëfunksional në kryqëzimin e rrugëve Pjetër Bogdani e Vaso Pasha projektuar nga Stefano Boeri.
Ndërsa godina West Residence, sërish projektuar nga Stefano Boeri, po ndërtohet pas Presidencës.
Ndërkohë në gjithë Tiranën, bashkia u ka dhënë lejen dhjetra kullave të cilat kanë hapur kantieret e ndërtimit përgjatë rrugëve dhe shesheve kryesore të kryeqytetit.
Të paktën 12 kulla janë në ndërtim me një lartësi mesatare prej rreth 20 katesh, ndërsa projekte të tjera mbeten në pritje për t’u miratuar.