Këtë javë, ish Ministri i Jashtëm i Francës dhe ish Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë Bernard Kouchner shkroi një editorial pë gazetën e njohur Financial Times me titullin Shqipëria tregon se zgjerimi i BE-së është larg përfundimit.
Pjesa e parë e artikullit është një analizë sipërfaqësore dhe mediokre e zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, ndërsa pjesa e fundit është thurje lëvdatash pa kursim për “një nga udhëheqësit politikë më të sofistikuar të Evropës”.
E lexuat saktë. Kouchner e ka vërtetë fjalën për njeriun i cili nuk mundet dot të thotë ndonjë fjali pa përçmuar kundërshtarin apo pa bërë ndonjë batutë të papërshtatshme. Për njeriun për të cilin demokracia është po aq e huaj sa edhe një mendim i artikuluar qartë. Po, Kouchner lëvdoi—në mënyrën më patetike dhe më të papërshtashme të imagjinueshme—një kripto-autokrat, kryeministrin tonë Edi Rama.
Është e vështirë të kuptosh arsyet që e kanë shtyrë një ish ministër, diplomat, dhe humanitar të jashtëzakonshëm të bjerë në nivelin e zhgarravinave dhe njollave pa formë sa të lëshojë një dush lëvdatash për dikë që ai e mendon në të njejtën fushë politike. Por unë do të përpiqem.
Artikulli fillon me deklaratën se BE-së do t’i duhet shumë shpejt të rimendojë strategjinë e saj të zgjerimit, sepse në korrik, në takimin vjetor të Samitit të Ballkanit, kryeministri i rikonfirmuar i Shqipërisë do të kërkojë hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit të tij.
Ndoshta Kouchner nuk është informuar për deklararat e fundit të Komisionit Evropian, i cili theksoi se “përparimi i prekshëm dhe i besueshëm në pesë kërkesat kryesore, zbatimin e reformës në drejtësi dhe veçanërisht vetingu, janë thelbësore për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë”. Asnjë nga këto kritere nuk do të përmbushet dot deri në korrik.
Pavarësisht kësaj, Kouchner është optimist dhe deklaron se “hamendja e tij është se përgjigjia e BE-së do të jetë pozitive, të paktën për sa i përket hapjes së bisedimeve”. Ai nuk sjell asnjë fakt në mbështetje të “hamendjes” së tij, dhe duket se nuk ka dijeni për raportet dhe deklaratat e institucioneve të ndryshme të BE-së të cilat sugjerojnë të kundërtën.
Ajo çfarë Kouchner bën, në të vërtetë, është përsëritja pa e menduar fare e retorikës së fushatës së Edi Ramës se me komisionet e vetingut “në dorë” ai do të kërkojë hapjen e bisedimeve këtë vit, ose përndryshe….
Kouchner vijon me një analizë të historisë së kohëve të fundit të politikës shqiptare, sikur kjo të shërbente për të mbështetur argumentin e tij.
Asnjëherë nuk u bë e qartë se pse ajo çfarë u tha brenda në çadër me një gjuhë më së shumti bombastike nuk mund të thuhej brenda në Kuvend. Por ishte tërësisht e qartë se, duke lenë bosh vendet në Kuvend, demokratët ishin duke bllokuar reformën jetike të sistemit të drejtësisë, e vetmja reformë e rëndësishme institucionale që kërkohej përpara hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Mund të mos ketë qenë vërtetë e qartë për Kouchnerin apo “ndërkombëtarët” e tjerë që venë e vinë përditë nëpër kryeqytetet e botës së dytë dhe të tretë. Mundet gjithashtu që protesta të mos ishte konceptuar mirë dhe zbatuar vakët. Por ishte dhe mbetet shumë e qartë për këdo në këtë vend se paratë e drogës masive dhe kriminalizimi i plotë i sistemit politik janë kërcënim serioz për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.
Marrëveshja McAllister plus, pas së cilës Basha i dha fund protestës, zor se e zgjidh thelbin e ndonjë problemi, dhe mund do të kthehet nëse Rama hipotetikisht do të rizgjidhet kryeministër. Por asnjë nga këto probleme nuk ishin imagjinare ose “të paqarta”.
Ngjarjet e tjera që Kouchner përshkruan janë edhe akoma më fantastike dhe delirante:
Brukseli u hodh në veprim. Shefja e politikës së jashtme Federica Mogherini dhe negociatori kryesuesi i bisedimeve të zgjerimit Christian Danielsson kryesuan delegacionet që biseduan me kryetarët e partive politike. Anëtarët e Parlamentit Europian u dërguan për të negociuar. Më në fund u arrit një marrëveshje.
Në fakt, Mogherini dhe Danielson nuk bënë asgjë. Mogherini dha një konferencë të trishtueshme për shtyp, në të cilën u shpreh se “opozita po bllokon vetingun” dhe bëri thirrje për “dialog”, ndërsa Danielsson as nuk u pa as nuk u përmend nodnjëherë. Deputetët nuk u “dërguan” por erdhën në momentet e fundit dhe dështuan qoftë edhe për të vendosur një dialog ndërmjet Ramës dhe Metës. Marrëveshja përfundimtare u arrit pas trysnisë së vazhdueshme të Zëvendës Ndihmësekretarit të Shtetit Hoyt Brian Yee. Ndërkohë, BE ishte e zënë me destabilizimin e protestës së opozitës duke u përpjekur të joshë partitë e vogla opozitare me “vende shtesë” në Kuvend që do të përfitonin nga mospjesmarrja e PD-së në zgjedhje. Një rol aspak për t’u mburrur.
Por, ky ushtrim i vogël në falsifikimin e historisë për të glorifikuar si BE-në edhe Udhëheqësin e Madh nuk janë asgjë në krahasim me paragrafin e fundit të artikullit, ku Kouchner merr rolin e tifozit të çmendur të Ramës dhe lajkatimi i tij bajat arrin kulmin:
Zoti Rama po del në pah si një nga udhëheqësit politik më të sofistikuar në Europë. Një artist i njohur ndërkombëtarisht, ai ka qenë gjithshtu basketbollist. Folës i shumë gjuhëve, ai jetoi për ca kohë në Paris, ku mori vlerësimet e para si artist. Në ndryshim nga shumë politikanë, Zoti Rama nuk shet sllogane.
Nga pikëpamja ideologjike, ai i përket qendrës së majtë—një social-demokrat i “vijës së tretë”, njësoj si Tony Blair i Britanisë apo madje president i ri i Francës Emmanuel Macron. Një pro-europian i palëkundur dhe Antlanticist, ai ka qenë i hapur në paralajmërimet e tij për ndërhyrjet ruse në rajonin e tij dhe kudo tjetër.
Po e lë mënjanë paragrafin e parë, sepse nuk di nga t’ja filloj. Ta filloj duke demaskuar nocionin e “të njohurit ndërkombëtarisht” apo me “vlerësimet e para si artist”? Apo duhet të kundërshtoj gjerë e gjatë absurditetin e pohimit “Zoti Rama nuk shet sllogane”. E kam fjalën, kush ia ka ushqyer Kouchnerit këto gjepura? Mos ka qenë në skype me këshilltarët e Ramës?
Por është paragrafi i dytë ai më problematiku. Herën e fundit që e verifikova, “rruga e tretë” social-demokrate ishte ajo rruga e shkurtimeve hemorragjike të buxhetit diku andej nga fundi i viteve 1990-të, me Toni Blerin që këmbente kapitalin e tij politik me këdo autokrat që mund t’i ofronte ndonjë “marrëveshje falas”, përfshi Edi Ramën.
Emri tjetër që lëshon Kouchner është ai një ish bankiere, si politikani i cili arriti të merrte shumicën parlamentare nëpërmjet sistemit qesharak zgjedhor të Francës, ku 30 për qind e votës popullore si me magji rezultoi në një shumicë mbi 60 për qind të vendeve në parlament. Kjo po që është një reformë zgjedhore që Rama do të donte ta zbatonte.
Por edhe sikur Rama të ishte njëjsoj si Blair apo Macron, keqleximi më i madh që Kouchner u bën atyre është se i vesh me përmbajtje ideologjike: “të qendrës së majtë”. Rama nuk ka ideologji. As i majtë, as i djathtë, asnjë. Ai ndryshon qëllim, dhe e dredh në çdo çështje të përfytyrueshme për aq kohë sa një gjë është e sigurtë: pushteti i tij.
Kjo lloj ngjitje e dëshpëruar pas pushtetit është pikërisht ajo çfarë e ka shkatërruar rrugën e tretë social demokrate europiane me të cilën Kouchner ndihet ende i lidhur. I zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje ideologjike, i vetmi justifikim racional që i mbeti asaj ishte “ne duhet të qendrojmë në pushtet, pavarësisht çdo gjëje”.
Falimentimi i kësaj ideje është i dukshme në të gjithë Europën, ndërsa partitë tradicionale laburiste, përfshi atë të vetë Kouchnerit, po veniten në skajet e skenës politike. E vetmja Parti Laburiste që qe në gjendje që ta rimerrte veten, në Mbretërinë e Bashkuar nën drejtimin e Jeremy Corbyn, kishte një program të qendrueshëm të motivuar ideologjikisht, një program që Rama nuk do të ishte kurrë në gjendje ta konceptonte apo përqafonte.
Atëhere, pse e lëvdoi Kouchner? Sepse tek Rama ai shikon një lloj shpirti të humbur, një lëvozhgë boshe të social demokracisë pas komuniste, e cila lundron pa orientim në ujrat e trazuara të botës financiare ndërkombëtare, pa asnjë lloj ndjenjë apo drejtimi ideologjik. Anija e saj qëndron mbi dallgë vetëm në sajë të një vullneti të fortë për pushtet dhe të korrupsionit që nuk njeh fund.
I dashur Bernard, dëgjova së fundmi se Tony Blair ka hequr dorë nga konsulenca, ndaj ka një vend të lirë në krahun e djathtë të Ramës. A nuk do të doje një punë?