Një qiell pa balona

Nga Artan Rama, Publicus
Një qiell pa balona

Nëse merr shtegun e qershive, në hyrje të Parkut, pranë Sheshit Frederik Shopen, mes Akademisë se Arteve dhe Universitetit, do të mjaftojnë vetëm dhjetë minuta për t’u ngjitur mbi kodër, kur pranë memorialit të vëllezërve Frashëri do të ndeshësh diçka të pazakontë: një kantier i zakonshëm ndërtimi. Hapësira ndërmjet memorialit dhe obeliskut të DEBATIK-ut është rrethuar.

Ndonëse e dielë, kantieri është në punë. Ngarkesat e para sapo kanë mbërritur! Tonelata dheu e bari janë zhvendosur për t’ia lënë vendit pirgjeve të përkohshme të zhavorrit . Makineritë speciale kanë çarë tokën për së gjati në rripa të ngushtë dhe kanalet e hapura pritet të mbushen me beton. Mbi bar, shihen gjurmë të freskëta zinxhirësh, çka dëshmon se mjetet motorrike nuk kanë shumë kohë që kanë ardhur këtu.

Diku në një anë, aty ku pylli bëhet më i dendur, një grup punëtorësh po ngrohen në diell. Përgjatë rrugës së këmbësorëve, në krah të rrethimit, krahas vizitorëve të pakët, shëtisin dy policë bashkiakë! Eshtë e diel dhe Parku duhej të ishte i qetë, i pastër e mikëprites. Por jo. Prej kohësh në Park nuk ka qetësi.

Vizitorët: vrapistë, pensionistë, çifte të rinjsh, e fëmijë, dikur të shumtë në numër, tani janë më të rrallë.

Prania e betonierave po bëhet e zakonshme. Njëmijë e njëqind metër kub beton, kinse për ndërtimin e një parku lodrash, pranë Shën Prokopit, nuk mjaftuan. Tani, makineritë po shkarkojnë përsëri. Këtë radhë pak më tutje: në të vetmen hapësirë të lirë të pyllit, mbi kodrinën e DEBATIK-ut, aty ku dikur ishte edhe një burim i famshëm, aq i njohur prej kryeqytetasve. Sot burimi nuk është më dhe me ç’duket, hapësira e mbetur do të ketë të njëjtin fat. Fadromat e urdhëruara nga biznesmenë ndërtimi, me kërkesën e të ashtuquajturëve administratorë të qytetit, kanë pushtuar fushën.

Por kjo hapësirë ka një histori të saj. Prej kohësh, ndoshta nuk mbahet mend se kur, fëmijët filluan të ngrinin aty balonat. Ishte mundësia e vetme në tërë atë sipërfaqe të pyllëzuar pemësh. Të përgatitura me kujdes, me ndihmën e të rriturve, tabakët plot ngjyra prej kartoni të trashësive të ndryshme, të mbërthyera me ristela të holla druri, lëshoheshin lart e drejtoheshin nga poshtë me fildispanjë tëpadukshme dhe fëmijët i ngrinin ato mbi majat e pemëve. Eh, ç’kënaqësi të ngresh një balonë! Është si të ngresh një ëndërr!

Në qytet është e pamundur të ngresh një balonë. Pyetini fëmijët, po deshët. Ata do t’iua thonë këtë. Sepse në qytet lartësohen kulla betoni. Fillimisht në periferi, gradualisht ato mbërritën në qendër. Të tjera kulla priten në vazhdim. Askush nuk di të thotë më shumë. Ngritja e një kulle është një mision i fshehtë. Thuhet se njerëzit kanë frikë nga kullat, ndaj dhe ndërtuesit i fshehin ato. Sigurisht, për aq sa mund të fshihet një kullë.

Tani është dimër dhe jashtë bën ftohtë. Fëmijët e strukur brenda presin pranverën për të ngritur balonat e ëndrrave të tyre. Por kur të vijë pranvera, fusha e balonave do të jetë zhdukur si me magji. Deri atëherë, administratorët dhe betonizuesit e qytetit, do t’i kenë përfunduar fushat prej betoni e bari plastik. Kur të ngjiten lart, në vend të hapësirës së blertë, fëmijët do të shohin një rrethim teli të çeliktë. Në vend të balonave në qiell, do të lartësohen shtylla metali me llamba të ndezura përgjatë gjithë natës! Dhe me shumë gjasë, e tërë kjo grabitje, t’u serviret në mëngjes, si një kalë i drunjtë mashtrimi.

Në thelb, gjithçka është e qartë. Ata po i shkulin Parkut zemrën për t’i copëtuar, gjymtyrët e shkëputura të pyllit, më lehtë. Betoni do të mbërrijë deri poshtë në qytet dhe kur kufiri mes tyre të shuhet, Parku nuk do të ekzistojë më! Në vend të pemëve do të mbijnë kulla të reja betoni…

Ndërkohë, në qiell nuk do të ketë asnjë balonë! Po nëse fëmijët do të pyesin, ç’përgjigje mund t’u japin prindërit e kujdesshëm fjalëbutë?

Ç’arsye mund të ketë dikush për t’ia shembur këtë botë ëndrrash?

Prindërit nuk e mbrojtën dot Parkun. Por a duhet të mbrojnë ata fëmijët e tyre?

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>