Një recetë e veçantë gatimi për ditët në karantinë

Nga JaMystic
Një recetë e veçantë gatimi për ditët në karantinë

Shqiptarët në mënyrën e tyre të të ushqyerit përdorin shumë fruta e perime.
Një nga këto fruta me përdorim të gjerë është dhe domatja. Mos u habisni! Domatja është frut.
JaMystic iu propozon nje gjellë dimri: Domate të thata me arra

Pak histori

Domatja e ka origjinën nga Peruja. Ajo erdhi në pellgun Mesdhetar nga ekspeditat e shumta të kolonizatorëve spanjollë në shekullin e XVI-të
Si fillim ajo u përdor si lule dekorative dhe më pas si bimë medicinale, pasi aroma e gjetheve të saj mbante larg milingonat dhe mushkonjat.
Janë italianët ata që në shekullin XVlll-të nga lule dekorative e bënë pjesë të kuzhinës me emrin “pomme d’or”, “mollë e artë”.
Domatja është pjesë e së njëjtës familje si duhani, patëllxhani, speci dhe patatja.
Ekzistojnë mbi 12 mijë varietete të domates në botë.
Ajo është e pasur me vitamina C,B3,B5,B9 si dhe një sërë mineralesh si: potas, fosfor, magnez, hekur, zink, kobalt dhe nikel.
Domatet përdoren të freskëta, por edhe të thata.
Sot do t’ju sjell një recete që vjen si traditë nga gjyshja ime.
Ajo thante shpesh domate në verë si zaire për dimrin e ardhshëm. Domatet e thara kanë një aromë karakteristike ndjellëse.
Kjo është tamam një gjellë dimri.

Domate të thata me arra

Për këtë recetë na duhen:

 – 1 kokërr qepë e thatë;
– 150 gram domate të thata;
– 1 thelp hudhër’
– 4 speca të thatë (zv 2 speca jeshilë);
– 1 lugë gjelle miell;
– 2 vezë fshati;
– 5 kokrra arra;
– Piper;
– Kripë;
– Vaj.

Fillimisht në një enë qelqi vëmë në ujë të vakët domatet dhe specat e thatë. I lëmë aty 2 orë ose pak më shumë. I kullojmë nga uji duke i shtrydhur pak më dorë që t’ju heqim ujin e tepërt dhe i lëmë në një letër thithëse.
Presim qepën në kubikë të vegjël dhe e fërgojmë në vaj ulliri deri sa të fillojë të jetë transparente. Hedhim hudhrën, specat e grirë hollë dhe fillojmë të hedhim domatet e copëtuara. Pasi i fërgojmë të gjitha bashkë për një moment, hedhim miellin duke e shpërndarë njëtrajtësisht.
I hedhim një gotë të vogël uji dhe i lëmë të marrim valë deri sa të fillojnë të humbasin lëngun. Direkt sa e heqim nga zjarri shtojmë vezët që i kemi rrahur me parë dhe i përziejmë shpejt që të lidhet masa. Shtojmë pak piper, kripë ( nqs është e nevojshme, pasi domatet e thata janë të kripura) dhe arrat e grira ose të shtypura sipas dëshirës. Pjata është gati

JaMystic këshillon:

Kjo pjatë mund të shoqërohet me oriz të zier (basmati).
Nëse nuk e preferoni cipën e arrave mund t’i fusni ato më parë në ujë të ngrohtë dhe mund t’jua hiqni cipën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>