JaMystic ju propozon të udhëtojmë në kontinentin amerikan që të prezantohemi me një pjatë tipike të vendit: ‘Chili con carne’, ose thënë shqip ‘Mish pikant me fasule’.
Të gjithë e lidhin këtë pjatë me Meksikën, por në fakt kjo pjatë e ka origjinën nga Teksasi.
Si bazë për chilin janë, mishi i grirë e speci djegës, por ne do të bëjmë variantin me fasule pasi pjata bëhet më e pasur dhe më me shije.
Për 5 persona nevojiten:
- 300g mish viçi i grirë,
- 300g fasule të kuqe në kuti,
- 1 tufë majdanoz të grirë,
- 2 thelpinj hudhër,
- 2 qepë të thata,
- 2 lugë çaji cumin,
- 1 lugë çaji piper i kuq i ëmbël,
- 1 lugë kafe piper i kuq,
- 1 kuti me domate në copa,
- kripë e piper.
Në një tigan me yndyrë, fërgojmë qepët e prera në kubikë dhe hudhrën e grirë hollë. Pasi të marrin ngjyrë të verdhë shtojmë mishin dhe vazhdojmë t’i fërgojmë të gjitha bashkë deri sa mishi të marrë ngjyrë kafe.
Shtojmë erëzat (kumin, piper të kuq, piper djegës dhe majdanozin e grirë), shtojmë fasulet bashkë me lëngun e tyre, domatet me copa, kripë e piper dhe e lëmë për 10 minuta të lidhen të gjithë elementët.
Në fund i hedhim edhe pak majdanoz të freskët për aromë të shtuar.
Jamystic ju këshillon: Paralelisht kur të bëni këtë gatim duhet të përgatisni edhe oriz të zier basmati për ta shoqëruar atë.