Një referendum pro dhe kundër Ramës

Nga Carloalberto Rossi
Një referendum pro dhe kundër Ramës

Publikimi i sondazheve nga dy kompani të njohura italiane të sondazheve duket se ka ngulitur në kokën e komentatorëve politikë se rezultati i zgjedhjeve është i përcaktuar, me përjashtim të 10 për qind të votuesve që deklarojnë se ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë.

Por sondazhi i IPR Marketing/Ora News nxjerr dy të dhëna të tjera të cilat e kundërshtojnë këtë mendim: rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme është ende i hapur dhe mund të përfundojë të jetë krejt i ndryshëm nga ai që kanë nxjerrë sondazhet e deritanishme.

E dhëna e parë domethënëse e IPR Marketing, të cilën e konfirmon edhe sondazhi tjetër i Institutit Piepoli/Report TV, është se vetëm 55 për qind e të intervistuarve do të votojnë, 35 për qind nuk do të votojnë, ndërsa 10 për qind janë ende të pavendosur për të votuar ose jo.

Nëse kjo është e vërtetë, nga 1 milionë e 750 mijë votues të regjistruar në vitin 2013, në 25 qershor do të votonin ndërmjet 950 mijë dhe 1 milionë e 150 mijë votues. Hipotetikisht, sipas sondazhit të IPR Marketing, PS-në do ta votojnë 450 mijë votues krahasuar me 713 mijë vota të marra nga PS si parti e vetme në 2013 dhe 995 mijë vota të marra si koalicion. Kjo do të thotë se PS do të marrë gjysmën e vendeve në kuvend me vetëm 13 për qind të rreth 3,48 milionë votuesve të regjistruar.

E dhëna e dytë domethënëse është se vetëm 44 për qind e votuesve të PS-së do të dëshironte Ramën në vendin e kryeministrit. E përkthyer në numrat e paraqitur më sipër nga sondazhet, kjo do të thotë se pëlqimi individual ndaj Ramës si kryeministër është në rreth 6 për qind të votuesve të regjistruar.

Por kjo e dhënë shërben për të vënë në dukje një gjë shumë të rëndësishme: nuk është e vërtetë se vota e të pavendosurve do të shpërndahet sipas përqindjeve të shprehura në deklaratat e sondazheve dhe për prandaj nuk do të kishte ndikim në rezultatin përfundimtar. E vërteta është se rezultati përfundimtar mund të lëvizë shumë, në varësi të fluksit.

Ngjarjet e ditëve të fundit, me dyshimet për një koalicion PS-PD, kanë rritur distancimin e votuesve nga politika, por duket se “kostoja” e këtij distancimi do të jetë më e madhe për partitë të cilat mbesin jashtë marrëveshjes PS-PD, si PDIU, LIBRA dhe LSI. Mospjesëmarrja në zgjedhje mund të ketë kosto edhe për Partinë Demokratike, e cila e kishte ringjallur dhe bashkuar elektoratin e saj me narrativën në Tendën e Lirisë dhe të Republikës së Re, por që u ndesh me zhgënjim në segmente të caktuara të elektoratit të saj pas marrëveshjes me PS-në. Kjo ndjenjë zhgënimi ka prekur me siguri edhe elektoratin e PS, por besnikëria e militantëve socialistë me partinë e tyre është e njohur, ndërkohë që për ta ndryshimi mes një koalicioni me PD ose më LSI nuk është aq i dhimbshëm.

Më shumë e dhimbshme për elektoratin socialist duket sjellja arrogante e kryetarit të saj, premtimet e pambajtura, përkeqësimi i ekonomisë, dhe koncesionet e të cilit duket se kanë hapur një hendek mes socialistëve dhe Kryeministrit Rama.

Ky arsyetim mjafton për të mbështetur, të paktën në teori, tezën se pjesa më e madhe e të pavendosurve dhe të atyre që deklarojnë se nuk do të votojnë janë më shumë në favor të opozitës se sa të qeverisë socialiste. Pra ata mund të jenë thellësisht të zhgënjyer nga Rama, por nuk kanë besim në asnjë nga partitë e tjera.

Le të bëjmë tre hipoteza që mund të mos jenë të ekzagjeruara:

  • Gjysma e 45 për qindshit e cila ose nuk voton ose është e pavendosur do të vendosë në momentin e fundit të shkojë në qendrat e votimit.
  • Këto vota do të jenë kundra Ramës
  • Këto vota ndahen mes partive të tjera, përveç PS-së, në përpjestim me deklarimet në sondazhe.

Në këtë rast, do të kishim rreth një milionë e tre qind mijë votues, diçka më pak se 25 për qind të votuesve në 2013-tën.

Nisur nga të dhënat e sondazhit IPR Marketing/Ora News, rezultati do të ishte PS-36,1 përqind, PD-40, 6 për qind, LIBRA-3,1 për qind, PDIU-2,5 për qind dhe kuptohet shpërndarja e vendeve në Kuvend do të ishte ndryshe.

Nëse fluksi i votës të ishte edhe më i madh, me shumë mundësi rezultati do të ishte edhe më i thellë në favor të opozitës, dhe në vecanti në favor të PD-së.

E gjitha kjo për të treguar se numrat e paraqitura deri më tani nga sondazhet përdoren me vullnet të plotë sipas interesit duke paraqitur me dashje një marrëveshje që në të vërtetë nuk ekziston.

Jo rastësisht dy partitë kryesore PD dhe LSI, që duhet të bëjnë fushatë, në pamundësi të arrijnë personalisht vetë të gjithë elektoratin, në ditët e fundit kanë përforcuar qendrimin kundër ndaj Ramës, duke rimarrë kështu elektorat.

Nëse gjatë ditëve të fundit të fushatës zgjedhore opozita e vërtet do të arrijë të transformojë votimet në një referendum pro ose kundra Ramës, njëkohësisht duke ftuar edhe të zhgënjyerit të paraqiten në votime, zgjedhjet mund të paraqesin të papritura të mëdha, deri në përmbysjen e rezultateve të deri më tanishme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>