Një replikë me AMA-n rreth kaosit të digjitalizimit

Nga Alba Mborja
Një replikë me AMA-n rreth kaosit të digjitalizimit

Ditët e fundit Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ka nisur një fushatë mediatike në lidhje me procesin e digjitalizimit pas kaosit të shkaktuar nga vendimi i fikjes së sinjalit televiziv. Thelbi i artikujve të AMA-s, shpërndarë në disa media, është se procesi i digjitalizimit është i nevojshëm, i nisur prej kohësh, dhe i paralajmëruar ndaj publikut e prandaj kaosi është më shumë përgjegjësi e publikut të painformuar se sa e vetë AMA-s.

Fatkeqësisht ky koment është i paplotë dhe nuk prek pjesën kryesore të ngatërrimit, ndryshimin ndërmjet standardit digjital DVB-T dhe atij DVB-T2. Është e vërtetë që ka pasur një fushatë mediatike në lidhje me procesin e digjitalizimit. Por kjo fushatë theksonte fikjen e transmetimeve analoge. Në fakt ka ndodhur diçka më shumë se kaq — janë fikur edhe transmetimet në standardin digjital DVB-T. Problemi është se prej vitesh shqiptarët në fakt ishin pregatitur për procesin e digjitalizimit … pikërisht duke blerë televizorë të pajisur me dekodera për standardin e vjetër. Shqiptarët kishin kohë që kishin filluar të ndiqnin kanalet televizive rregullisht në standardin digjital. Fikja e këtyre transmetimeve ishte arsyeja kryesore e kaosit dhe jo fikja e transmetimeve analoge.

Ky rezultat rivendos theksin te roli i AMA-s gjatë këtij procesi. Është e vërtetë që ligjërisht AMA ka të drejtë pasi VKM e firmosur në vitin 2012 kërkon kalimin ekskluziv në standardin digjital DVB-T2. Por, praktikisht përtej kësaj pike çdo gjë ka dështuar si më poshtë:

1. Thuajse asnjë person jo-teknik nuk ishte informuar për diferencën ndërmjet dy standardeve.
2. AMA në fushatën mediatike ka përmendur vazhdimisht vetëm fikjen e transmetimeve analoge.
3. Transmetimet e këtyre viteve në DVB-T, disa prej të cilave AMA tani pretendon se kanë qenë të paligjshme, nuk duhet të ishin lejuar kurrë pasi kanë krijuar idenë se shumë familje ishin pregatitur për procesin.
4. AMA duhet të kishte bërë një propozim për kontrollin e tregut të televizorëve, duke ndaluar shitjen ose të paktën duke vendosur etiketa dalluesë për aparatet e përshtatshme. Në fakt, deri para disa ditësh duket se qytetarët kanë vazhduar të blejnë televizora “digjital” të cilët tani duhet të pajisen me pjesë shtesë.
5. Tregu i dekoderave duket i monopolizuar, me aparatët në treg që kushtojnë shumë më shtrenjtë se ato që shiten online.
6. Vetëm e vetëm pasi të sigurohej së familjet ishin pajisur me aparatët e rinj, duke kryer ndezjen e sinjalit në digjitalin DVB-T2, mund të fikeshin transmetimet e vjetra.

Është po ashtu e paqartë përse nje periudhe tranzitore nuk mund të krijohej teksa diferenca qartësohej për publikun. Italia fqinje po ndjek një rrugë të ngjashme, me transmetimet në DVB-T2 si standard unik vetëm pas vitit 2022. E gjitha kjo e shoqëruar me ndalimin e shitjeve të televizorave jashtë standardit që prej janarit 2017 për të pregatitur tregun.

Prandaj duket se shfajësimet e AMA-s sot janë në rastin më të mirë të paplota për aq kohë sa nuk përfshinë një shpjegim të qartë në lidhje me dy standardet digjitale.

Ishte ky ndryshim, dhe jo fikja e sinjalit analog, që shkaktoi vërtet kaosin dhe që mbetet ende i pazgjidhur. Në rastin më të keq, veprimet e AMA-s gjatë këtyre viteve ishin të qëllimshme dhe ndihmuan në një pasurim të shpejtë të 2-3 operatorëve kryesor në treg, të gjithë në pronësi të disa prej të ashtuquajturve oligarkë kryesorë të vendit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>