Një tenor që foli si armik

Nga Carloalberto Rossi
Një tenor që foli si armik

Para pak ditësh, tenori Agim Hushi, i cili ka arritur sukses artistik nëpër botë, në një postim të tijin në Facebook shkroi për të metat e Shqipërisë, duke shpjeguar në mënyrë mjaftueshëm të bindshme se pse po largohej për gjithmonë nga vendi për të jetuar në Sidni të Australisë “ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5 milionësh nuk e di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve”.

Ai e përshkruan Shqipërinë si “atdheu i dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina” dhe e mbyll duke thënë se është turp të jesh bashkëkombës i këtyre.

Hapu qiell! Në mediat sociale dhe në blogje të ndryshme erdhivërshuan lumenj të rrëmbyeshëm komentesh — dikush u solidarizua dhe komentoi duke theksuar se ky është gjykimi i një shqiptari të suksesshëm dhe qytetar të botës, por pjesa më e madhe u hodhen në kundrathënie, dënime dhe linçime, duke auzuar tenorin për çdo lloj tradhëtie të mundshme.

Ky lloj reagimi ka ndodhur më parë e do të ndodhë përsëri, sepse ai është një lloj refleks i kushtëzuar, ndoshta mbetje e sistemit komunist, ose ndoshta thjesht trashëgimi e një shekulli izolimi: tek ne ekziston krimi shoqëror i “sharjes së Shqipërisë”. Pavarësisht argumentave që mund të jenë të vërteta ose të dokumentuara, ai që flet keq për vendin, ai që flet keq për partinë, është armik dhe pikë.

Dhe duhet të përjashtohet, eleminohet, dëbohet, duhet të iki dhe të na lërë të shijojmë parajsën tone — nga e cila sidoqoftë rreth 55 për qind e jona dëshiron të largohet për t’ju bashkaur atyre një milionë e gjysëm që tashmë e kanë braktisur me kohë atdheun e shtrenjtë.

Menjëherë mbetjet e vjetra komuniste, shpura e tyre dhe shumë injorantë të tjerë të tërhequr nga këto të fundit, shpërthejnë me zë të lartë duke akuzuar fajtorin për sharje, duke kërkuar me ulërimën e tyre të mbysin argumentat e bezdisshëm edhe pse ato ja bëjnë mu me vërtetësinë e tyre. “Etika” jonë e kulluar parashikon që mund të thuhen vetëm gjërat e mira, e vërteta nuk ka rëndësi.

Nuk ka rëndësi që të gjithë e dinë se Agim Hushi ka të drejtë që nuk është mirë që një vend të ketë një klasë politike e drejtuese si kjo, nuk ka rëndësi që vendi është i sakatuar nga korrupsioni e keqqeverisja dhe abuzimet dhe shkeljet e të drejtave poi rrënojnë më të dobtit dhe nuk po kursejnë më askënd, nuk ka rëndësi nëse ai që shprehet është qytetar i mirë, nuk ka rëndësi nëse është i huaj apo shqiptar—kur fillon reagimi të gjithë vrapojnë të lëshojnë akuzat e tyre, ndoshta duke patur ende frikë se një sekretar partie mund të dyshojë për sjellje indiferente apo antishoqërore të tyre.

Kjo ishte çimentoja me të cilin ishte ndërtuar konsensusi në kohën e diktaturës, dhe ky është edhe motivi për të cilin vazhdojmë të humbim çdo rast për të reflektuar mbi gjendjen tonë të vërtetë, si vend, si popull, si Atdhe. Pa reflektim nuk do të këtë përmirësim.

Dhe kush nuk është dakord duhet të largohet, sepse këto janë rregullat këtu.

Në fund do të mbetet vetëm njeri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>