Një godinë 12 katëshe, shumëfunksionale, do të ndërtohet në zonën mes Katedrales Katolike dhe ish-Hotel Dajtit, përgjatë lumit Lana, një ndër të vetmet hapësira të mbetura të lira në qendër të Tiranës.
Godina me emër MET Building Tirana, do të ketë ambiente të ndryshme që do të shërbejnë si qendër tregtare, zyra dhe apartamente banimi.
Projekti i ndërtesës është bërë nga studio italiane “Architects Mario Cucinella” dhe sipas informacionit në faqen zyrtare të saj, projekti ka nisur të konceptohet që prej vitit 2014.
“Projekti i ndërtesës së re i kushton vëmendje të veçantë shtëpive në natyrë […] Godina do të ketë një sërë tarracash të gjelbra për të garantuar hapësira të jashtme të cilësisë së lartë për çdo banesë.”
Nga fotot por dhe nga përshkrimi që studio “Architects Mario Cucinella” i bën projektit, duket frymëzimi nga qyteti i Beratit, i njohur ndryshe si “qyteti i bardhë me 1000 dritare”.
Për studion “Architechts Mario Cucinella” ky do të jetë projekti i parë i realizuar në Shqipëri. Deri më tani nuk dihet ende se kush do të jenë investitorët e kësaj ndërtese në zemër të Tiranës.