Në një sallë të vogël gjykate, gjyqtari Avni Sejdi lexon Vendimin e Arsyetuar. Të pranishmit qëndrojnë në këmbë, në heshtje. Pas tridhjetë minutash dëgjohen këto fjalë: “…Konstatimin e paligjshmërisë absolute të kontratës së koncesionit me Nr. 2174… për ndërtimin e hidrocentralit Poçem…”.
Pra, me fjalë më të thjeshta: hidrocentrali në Poçem, mbi Lumin Vjosë, nuk do të ndërtohet!
– Fituam!—njofton Besjana Guri.
Ende pa dalë nga salla, përfaqësuesja e EcoAlbania, nxiton t’u telefonojë ekspertëve dhe organizatave të tjera mjedisore. Natyrisht, që është një fitore. Përballë, të humburit vazhdojnë të heshtin. Përfaqësuesit e ministrisë së energjitikës dhe përfaqësuesit e kompanisë koncesionare Kovlu Energji nuk ia dolën të mbrojnë deklaratat, urdhërat dhe kontratat e eprorëve të tyre, të saposhpallura si të parregullta nga gjykata.
Si asnjëherë më parë, ndërtimi i një dige që parashikonte të ndalonte rrjedhën e lirë të lumit ndalohet me një vendim gjykate. Ishte pikërisht kjo rrethanë që i dha këtij vendimi, pasditen e së martës, në Gjykatën Administrative në Tiranë, përmasat e një ngjarje historike.
Falë tij, banorët e fshatit Kutë në krahinën e Mallakastrës, të fshatrave Sevaster e Shkozë, në krahinën e Labërisë, tokat e të cilëve, anës Vjosës, rrezikoheshin të përmbyteshin prej ndërtimit të një dige, pesëdhjetë metra të lartë e dyqind metra të gjerë, do të vazhdojnë të prodhojnë e të kultivojnë, mbi të njëjtën traditë që paraardhësit e tyre kanë zhvilluar në shekuj.
Falë këtij vendimi, nën të njëjtin shembull, organizatat e tjera mjedisore mund të mbrojnë Parkun Kombëtar të Valbonës, të kërcënuar prej një numri të madh koncesionesh për ndërtime hidrocentralesh!
Nën të njëjtin shembull, ambientalistët mund të mbrojnë lagunat e pyjet, të neglizhuara prej autoriteteve e nën presion prej zhvilluesve!
Por ky vendim është edhe një fitore për drejtësisë, një fitore për Gjykatën Administrative, e cila për herë të parë në historinë e saj merr një vendim në favor të mjedisit!
Ai është një fitore e shkencës dhe e arsyes ndaj autoriteteve dhe ndaj burokratëve nëpër zyrat e administratës që janë bërë palë me zhvilluesit, uria e të cilëve për shfrytëzimin e lumenjve, nuk po shuhet!
Ky vendim është një triumf i dyfishtë: i ligjit, por dhe i zbatimit të tij.
Kësisoj, duartrokitjet që u dëgjuan, pas shpalljes së tij, këtë të martë, në sallën e vogël numër gjashtë, në Gjykatën Administrative këtu në Tiranë, nuk ishin vetëm për shkak të vendimit kundër ndërtimit të hidrocentralit të Pocemit mbi Vjosë, por dhe një shpresë e një model, se në ç’mënyrë mund të mbrohet mjedisi në të ardhmen.