Gati një vit pasi mjekët identifikuan rastet e para të një sëmundjeje të re në qytetin kinez të Vuhanit, vendi ka nisur një fushatë për të ndryshuar mendimin se ai ishte origjina e pandemisë së Covid-19.
Media shtetërore ka raportuar intensivisht për rastet e koronavirusit të zbuluar në paketimin e ushqimeve të ngrira të importuara, dhe për gjetjen e rasteve të të infektuarve në vende të tjera të botës para dhjetorit 2019.
Gazeta zyrtare e Vuhanit, “People’s Daily” pretendoi në një postim në Facebook javën e kaluar se “të gjitha provat në dispozicion sugjerojnë se koronavirusi nuk filloi në Vuhan, qyteti i Kinës qendrore”.
“Vuhan ishte vendi ku u zbulua për herë të parë koronavirusi, por nuk ishte ai origjina e virusit,” tha Zeng Guang, ish-një kryedemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për gazetën kinezë.
Ndërsa një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze tha vetëm se e rëndësishme është të bëhet dallimi midis vendit ku u zbulua për herë të parë Covid-19 dhe ku e kaloi kufirin nga kafshët tek njerëzit.
“Megjithëse Kina ishte e para që raportoi raste të të infektuarve, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se virusi e ka origjinën në Kinë,” tha Zhao Lijian në një konferencë. “Gjurmimi i origjinës është një proces i vazhdueshëm që mund të përfshijë shumë vende dhe rajone”, shtoi ai.
Shkencëtarët kinezë madje kanë paraqitur një artikull kërkimor për botim në revistën e famshme Lancet – edhe pse nuk është shqyrtuar ende nga kolegët – që pretendon se “Vuhan nuk është vendi ku ka ndodhur për herë të parë transmetimi Sars-CoV-2 nga njeriu në njeri”, duke hedhur hipotezën se vendi i origjinës së transmetimit të virusit ka qënë në Indi.
Por pretendimet se virusi e ka origjinë jashtë Kinës nuk besohen nga shkencëtarët perëndimorë.
Michael Ryan, drejtori i programit të urgjencave shëndetësore në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha javën e kaluar se deklaratat se virusi nuk u shfaq për herë të parë në Kinë janë “spekulative”. Ai sqaroi, në konferencën për shtyp në Gjenevë, se hetimet fillojnë aty ku shfaqen rastet e para të kalimit të virusit nga njeriu në njeri.
Raportimet se virusi i Covid-19 ka qarkulluar në Itali në vjeshtën e vitit 2019, bazuar në monstrat e marra në një njësi të studimit të kancerit, janë të “dobëta”, tha Profesor Jonathan Stoye, një virolog në Institutin Francis Crick në Londër. “Të dhënat serologjike [nga Italia] ka shumë të ngjarë të shpjegohen nga antitrupa ndër-reaktivë të kundër koronaviruseve të tjerë.”
Me fjalë të tjera, antitrupat e gjetur në rastet në Itali ishin shkaktuar në individë që ishin infektuar nga koronavirusë të ndryshëm, jo ata përgjegjës për Covid-19.
Deri më tani e sigurtë është se rastet e para u regjistruan në Kinë”, shtoi profesori britanik. “Kështu që ka shumë të ngjarë që virusi ta ketë origjinën në Kinë.”
Ndërsa për gjurmët e koronavirusit të gjetura në paketimin e ushqimeve të ngrira, shkencëtarët mendojnë se ato paraqesin një rrezik shumë të ulët për transmetueshmërinë e sëmundjes, e cila shpërndahet përmes ajrit.
Një test pozitiv “prania e disa shenjave të virusit, nuk tregon se ky mund të jetë një vend për përhapjen e tij”, tha Andrew Pekosz i Shkollës së Shëndetit Publik Bloomberg në Universitetin Johns Hopkins për Associated Press. “Unë nuk kam parë të dhëna bindëse se Sars-CoV-2 i gjetur në paketimin e ushqimeve përbën një rrezik të konsiderueshëm për infeksion”.
Por ndërsa virusi ka shkaktuar kaq shumë dëme në njerëz dhe ekonomi, Pekini po kërkon të mbrojë imazhin e tij si brenda dhe jashtë vendit.
Ekipi i hetimit të OBSH-së që vizituan Vuhan në fillim të këtij viti nuk u lejuan të vizitonin tregun e gjësë së gjallë të lidhur me shpërthimin fillestar.
Të kuptuarit e origjinës së Covid-19 është jetike për përpjekjet për të parandaluar një tjetër pandemi në të ardhmen. Fatkeqësisht, tani për tani Pekini duket më shumë i përqendruar në pyetjen se kush duhet të mbajë fajin për sëmundjen, sesa në të kuptuarit se nga ka ardhur.
Covid-19 deri më sot ka infektuar mbi 60 milion njerëz dhe ka shkaktuar rreth 1.5 milion viktima.
Botuar në The Guardian/ Përkthyer nga Exit News