Njeriu i ri pas-oligarkik që po vjen në Shqipëri

Nga Vehap Kola
Njeriu i ri pas-oligarkik që po vjen në Shqipëri

Është e pamundur të flasësh për oligarkinë në Shqipëri dhe të injorosh rolin e saj mbi mjedisin urban. Shterpë nga aftësia për novacion, grabitqarë dhe shfrytëzues, oligarkët janë përfshirë në një garë të ethshme për të ngurtësuar kapitalin e akumuluar nga grabitja e pasurive publike dhe monopolet përmes një projekti brutal: ndërtimin e kullave të betonit, qendrave tregtare dhe komplekseve rezidenciale.

Edhe pse oligarkët shqiptarë janë përgjithësisht injorantë për të kuptuar rolin shoqëror të industrisë së ndërtimit, me kalimin e kohës, ndërsa ndërtesat që ata po ndërtojnë do tëfillojnë të identifikohen me banorët e tyre, ato do të ndikojnë krijimin e mendimeve dhe ndjenjave të njerëzve.

Roli i strukturave fizike mbi njeriun është objekt i një debati të madh sociologjik. Sociologu Pierre Bourdieu besonte se ndërtesat janë histori të objektifikuara. Çurçilli vërente se ‘ne u japim formë ndërtesave dhe, më pas, ndërtesat na japin formë neve’.

Përpara se ndërtesat të formojnë mendimet dhe ndjenjat e banorëve të tyre, ato duhen ndërtuar, dhe Thomas Gieryn besonte se ky proces nis që me projektimin. Projektimi është njëherësh planifikim material dhe zbërthim i interesave rivale sociale; interesat e zërave më të fuqishëm gdhenden në vetë artifaktin (objektin, ndërtesën etj.).

Përfshirja e investitorëve, sponsorizuesve, konsumatorëve, menaxherëve, publikut të apasionuar, rregullatorëve dhe furnizuesve arrihet përmes procesit të projektimit. Plani i Zhvillimit Urban Tirana 2030 është shembulli më i bujshëm i sundimit të interesave të industrisë së ndërtimit mbi interesat dhe aspiratat e popullsisë. Ky plan jo vetëm ka projektuar një qytet, që i jep përparësi oreksit të oligarkisë për beton në të ardhmen, por ai fshin të shkuarën e qytetit për ta tjetërsuar atë vetëm në betonin e së ardhmes.

Oligarkët shqiptarë, të cilët zotërojnë thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë filluar të marrin pjesë në këtë lojë sundimi e nënshtrimi përmes sundimit të hapësirës fizike me anë të kullave.

Në të njëjtën mënyrë, ky grup po zbaton formulën sundo-nënshtro në bregdet, duke ndërtuar komplekse banimi për elitat, të cilat kanë zaptuar zonat më tërheqëse turistike në vend.

Nga ana tjetër, një familje pronarësh të vjetër me truall në qendër të Tiranës nuk mund të marrë pjesë në formësimin e strukturës fizike të qytetit në të njëjtat kushte. Nëse lejohet të ndërtojë, ajo mund ta bëjë këtë pa qenë në gjendje të ndikojnë identitetin e ri që oligarkia dhe përfaqësuesit e saj në qeveri po mundohen t’i japin qytetit. Vetëm interesat e zërave më të fuqishëm ia dalin të lënë gjurmë në artifaktet që formojnë strukturën e dukshme të qytetit tonë.

Karakteristikë e çdo rendi fizik ekzistues është se ai e bën të vështirë të imagjinohen rende të tjera. Ekzistenca e godinave të caktuara për një periudhë të konsiderueshme kohe kthehet në një pengesë të pakapërcyeshme për vizione të reja mbi shoqërinë lokale.

Kësisoj, gjurma osmane në shoqërinë shqiptare ruhet në objekte të pakta të kultit, hamamëve, varreve monumentalë apo kalave. Sipër saj shtresohet trashëgimia e periudhës së monarkisë, me vulën e shkollës së arkitekturës racionaliste italiane, aq e dukshme në qendrën e qytetit të Tiranës.

Shtresime të tilla arkitekturore janë ndërthurur për të prodhuar një ndërgjegje, një mënyrë të menduari dhe të përjetuari, që garantojnë vazhdimësinë e një kuadri vlerash me burim te tradita.

Potenciali që ka struktura fizike për të përcjellë kuptim u jep pushtet simbolik projektuesve dhe ndërtuesve—përmes planifikimit të kujdesshëm ata janë në gjendje të sugjerojnë apo kontrollojnë kuptimet që lidhen me të. Në këtë mënyrë, arkitektët dhe projektuesit marrin një rol strategjik në sferën publike.

Ndaj nuk është aspak rastësi që Edi Rama ka krijuar një grup të ngushtë arkitektësh të preferuar, me të cilët ka punuar në Bashkinë e Tiranës për 11 vite dhe punon tashmë në qeveri prej 6 vitesh.

Nëse anëtarët e një komuniteti pranojnë planet urbanistike të projektuara dhe të miratuara nga lart, struktura fizike e urbanizimit krijon marrëdhënie shoqërore të sundimit dhe nënshtrimit brenda hierarkisë së oligarkëve dhe qytetarëve.

Sa herë që një kullë e re ndërtohet mbi themelet e një monumenti kulture apo një gjurme kulturore e historike, siç është një vilë e stilit italian ndërtuar në vitet 1925-45, apo Teatri Kombëtar i ndërtuar nga pushtuesit fashistë, ajo rikonstituon status quo-në dhe shtyp rezistencën ndaj saj.

Është naivitet të besohet se oligarkia në Shqipëri thjesht po u rrëmben padrejtësisht shqiptarëve burimet dhe mundësitë në treg. Më shumë se kaq, ajo është duke inxhinieruar te shqiptarët një identitet dhe përfytyrim të ri mbi botën dhe raportet e njeriut me të.

Në këtë mënyrë, qytetari i zakonshëm, banor i një qyteti si Tirana, i nënshtrohet ngushtimit të vazhdueshëm të perspektivës nga shëmtia e projekteve të reja ndërtimore. Ndërkohë, ai privohet gjithnjë e më shumë nga gjurmët që e lidhin me të shkuarën e tij.

Si pasojë, zë fill një ndërgjegje e re, një mënyrë e re të menduari dhe të përjetuari.

Deri këtu çdo gjë mund të duket normale. Tekefundit këtë kanë bërë të gjithë brezat: kanë lënë gjurmën e tyre në arkitekturën e qyteteve dhe vendbanimeve, dhe njerëzit janë ndikuar prej tyre. Asgjë e pazakontë nuk duket të ketë ngjarë si pasojë e tyre.

Por duhet të jemi të vetëdijshëm se po flasim për një ndrydhje të mundësive të përjetimit, që çon në skllavërimin e njerëzve. Bota e qytetëruar, e cila ruan me fanatizëm trashëgiminë e saj kulturore, nuk e bën këtë vetëm për nevojat e industrisë së turizmit. Mbi të gjitha, ruajtja e shtratit urban, që na kanë lënë ata që kishin në dorë të ndërtonin qytetet në të kaluarën, u jep qytetarëve dhe komuniteteve një ndjenjë lirie nga pushtetet e të tashmes dhe një ndjenjë fuqie, që i kushtohet thellësisë së rrënjëve kulturore e shoqërore në të shkuarën.

Çfarë pushteti simbolik mund të pretendojë një ndërtues qiellgervishtësish në Kajro, ndërsa i duhet të relativizohet ndjeshëm përbri piramidave madhështore të Gizës? A mund të imagjinohet karakteri i indianit të Shekullit XX pa gjurmën shpirtërore dhe kulturore të Taxh Mahalit apo Pallatit të Akbarit të Madh në Agra?

Jo më kot diktatura komuniste rrënoi dhe pothuajse fshiu plotësisht trashëgiminë kulturore fetare të vendit.

Shqiptari i periudhës së monarkisë është i ndryshëm nga ai i periudhës së diktaturës dhe post-diktaturës, për aq sa në tablonë e këtij të fundit mungojnë gjithë këto gjymtyrë urbane dhe shpirtërore, që i vinin vulën relievit kulturor të vendit.

Qytetari shqiptar i periudhës post-oligarki, nëse do të ketë një të tillë, do t’i ngjajë një guri të shkulur që nuk arrin të ndërtojë lidhje me të kaluarën e tij të largët dhe të afërt. Duke trashëguar gjithnjë e më pak nga brezat e paraardhësve të tij, njeriu i ri i post-oligarkisë do të vuajë, ndoshta pa qenë i vetëdijshëm, mungesën e kulturës në mjedisin dhe jetën e tij.

Pa pjesëmarrjen e të shkuarës në procesin e krijimit të përjetimit dhe kuptimit, njeriu i ri i epokës post-oligarki nuk do të ketë një truall ku të ngjizë virtytin dhe të kultivojë ndjenjën e një ekzistence të dallueshme kulturalisht nga grupe të tjera etnike dhe kulturore.

Në këtë mënyrë, oligarkia do të ketë inxhinieruar një përbindësh, i cili mund të mbahet nën kontroll, por jo t’i besohet përgjegjësia e lirisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>