Një tjetër kullë 24-katëshe do të ndërtohet në zonën e ish-ekspozitës Shqipëria Sot, përgjatë lumit Lana.
Kryeministri Rama, si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen më 8 nëntor 2019, siç shikohet në dokumentet e siguruara nga Exit News.
Kulla, e quajtur Ekspozita Building, me lartësi 93 metra, do të ketë 24 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë si qendër tregtare, ambiente për zyra dhe banim.
Ajo do të ndërtohet nga kompania Viktoria Construction në pronësi të Luan Matës.
Projekti i kullës është bërë nga studiot Mario Cucinella Architects dhe Ekoplan.
Më heret studio Mario Cucinella Architects ka projektuar dhe godinën MET Building, që po ndërtohet në krah të ish-Hotel Dajtit.
Kjo kullë do të jetë kulla e dytë më e lartë në bulevardin Gjergj Fishta, pas kullës Downtown Tirana, pranë Rrugës së Elbasanit.
Kulla Ekspozita Building do të jetë dy herë më e lartë se të gjithë pallatet në zonën e ish-Ekspozitës, duke prishur vijën e horizontit në zonë dhe duke i hapur rrugën ndëtimeve të tjera të larta aty.
Aktualisht në Tiranë janë hapur dhjetra kantiere ndërtimi për kulla vetëm përgjatë rrugëve dhe shesheve kryesore:
– Kulla 34-katëshe si vazhdim i Hotel Tiranës, në sheshin Skënderbej;
– Kulla 26-katëshe në anën perëndimore të Sheshit, në fillimin e rrugëve të Kavajës dhe të Durrësit, e titulluar Sytë e Tiranës;
– Kulla 20-25-katëshe Book Building, menjëherë pas Kullës së Sahatit dhe ndërtesës së Bashkisë, e cila është pjesë e një projekti zhvillimi me disa ndërtesa;
– Në zonën e bllokut, ka nisur puna për godinat shumëfunksionale “Blloku” dhe “West Residence”;
– Godina me emër MET Building Tirana, në zonën mes Katedrales Katolike dhe ish-Hotel Dajtit, përgjatë Lanës, ka nisur punimet;
– Godina Garden Building, 24-katëshe po ndërtohet përgjatë Rrugës së Kavajës, në vendin ku ndodhej ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës, pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit;
– Në 2018-ën është miratuar leja për ndërtimin e kullës Tirana’s Rock, 85 metra e lartë, 25 kate, në krah të Hotel Tiranës, në buzë të fillimit të Rrugës së Dibrës;
– Sapo ka përfunduar punimet kulla 24-katëshe në një prej këndeve të Stadiumit Arena Kombëtare.
– Qeveria dhe Bashkia Tiranë kanë planifikuar ndërtimin e 6 kullave në zonën ku aktualisht ndodhet Teatri Kombëtar dhe Teatri Eksperimental;
I gjithë ky betonizim i Tiranës po fshihet përmes propagandës dhe manipulimit të opinionit publik, ndërkohë që planet ndërtimore nuk bëhen asnjëherë publike. Asnjë nga kullat e mësipërme nuk është njoftuar nga Bashkia Tiranë apo qeveria.