Një thirrje e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, z. Gazmend Oketa, drejtuar të larguarve nga PD për t’u bashkuar për hir të interesave të mëdha të vendit, ka rikthyer në oborrin e selisë së kësaj partie një simulim të njohur. Në selinë e PD kanë nisur takimet e para mes kryetarit Lulzim Basha dhe ish-funksionarëve të saj.
Përpara se të analizohet se çfarë i sjellin apo çfarë humbet PD-ja nga kthimi apo moskthimi i këtyre ish-funksionarëve, është e domosdoshme të diskutohet vetë teza e rikthimit të të larguarve si strategji për zgjerimin e opozitës dhe shndërrimin e saj në forcë fituese.
Supozimi i parë i kësaj teze nënkupton se një parti e bazon strategjinë elektorale te fondi statik i votuesve të figurave të saj. Sipas këtij supozimi, ky fond votuesish mund të negociohet, transferohet, humbet dhe rikthehet pak a shumë në gjendjen fillestare.
Kjo do të ishte i vërtetë nëse politikanët në fjalë përfaqësojnë një grup idesh e pikëpamjesh që tërheqin mbështetjen e segmenteve të caktuara të shoqërisë. Por, për fatin e mirë apo të keq të Partisë Demokratike, nuk duket se historia e pluralizmit shqiptar ka pasur figura të tilla.
Supozim tjetër i kësaj teze, që rishfaqet në PD sa herë ajo është në opozitë, është se nuk janë idetë që sjellin mbështetjen e zgjedhësve, por figurat emblematike të së shkuarës së lavdishme. Kështu, në qendër vihet profili personal dhe jo angazhimi për një kontratë politike mbi qëllime të qarta për t’u përmbushur brenda një mandati.
Supozimi i tretë i nënkuptuar i kësaj teze është se hapja dhe modernizimi i Partisë Demkratike realizohet përmes një marrëveshjeje të këtyre ‘patriarkëve’ me të zotin aktual të shtëpisë dhe jo përmes mekanizmave elektorale të një partie popullore. Ky tranzicion, nga politikanët si figura përfaqësuese të një realiteti ekzistues politik e social te politikanët si figura përfaqësuese të një realiteti të munguar, risjell në Partinë Demokratike një epokë simulimi.
Në këtë epokë nuk ka më një doktrinë politike për t’u identifikuar, nuk ka zgjedhje për të përzgjedhur idetë dhe njerëzit e duhur dhe për të skualifikuar idetë dhe njerëzit e papranueshëm për anëtarësinë. Në këtë epokë çdokush është i zgjedhur dhe i përjashtuar paraprakisht.
Nëse largimi i disave nga funksionet në Partinë Demokratike është bërë në rrugë artificiale, rikthimi i tyre pa kaluar përmes filtrave elektorale është parimisht një sipërmarrje edhe më artificiale.
Këta njerëz vështirë se do të ngjallnin besim me barrën e historikut të tyre që tërheqin zvarrë drejt Partisë Demokratike. Riatdhesimi nuk është asgjë më shumë se një hile shtesë, që krijon idenë se gjithçka ka shkuar në vend dhe opozita është tashmë gati të vijë në pushtet.
Nëse e djathta në Shqipëri nuk mund të prodhojë figura të tjera, por i duhet që përherë të kthehet te dhjetori 1990 për të huazuar politikë, politikanë dhe optimizëm, ajo më mirë të pranojë kapitullimin e saj.
Hapja e Partisë Demokratike nuk duhet ta bëjë të djathtën të rikthehet te një realitet tmerrësisht i ngjashëm me atë që kjo parti ishte; apo, më keq akoma, të pranojë një realitet që e ka refuzuar edhe kur ishte në gjendje jo aq të mirë.
Politikanët që nuk arritën të zgjidheshin apo të luanin rolin që synonin në të djathtën e djeshme, edhe për shkak të funksionimit problematik të mekanizmit të zgjedhjeve apo përzënies artificiale, mund të japin kontribut pikërisht për të konsoliduar traditën elektorale në Partinë Demokratike. Përndryshe, rikthimi i tyre në drejtimin e ish-partisë do të tregonte se ata e meritonin të ishin viktima të artificës jodemokratike që i largoi nga partia.
Duke shpallur hapjen përmes kooptimit të ish-drejtuesve të saj, Partia Demokratike, me vetëdije ose jo, dëshmon se ajo nuk është e lidhur me një kontratë me elektoratin që pretendon të përfaqësojë. Në këtë mënyrë ajo rrezikon të shfaqet më shumë si dominuese, sesa si përfaqësuese e këtij grupi politik.
Nxjerrja nga muzeu dhe shfaqja e të njëjtave figura politike nuk është hapje e Partisë Demokratike. Hapja e vërtetë e partisë së djathtë më të madhe të shqiptarëve do të ndodhte vetëm kur njerëzit të merrnin pjesë me përgjegjësi tek ajo. Vetëm kjo do t’i bënte njerëzit të vërshonin drejt saj jo me emocion dhe ëndrra në diell, por me bindjen e arsyeshme se politika është në favor të tyre.
Ripërtëritja e asaj kontrate parimore dhe ideore garantohet me anë të rivitalizimit të mekanizmit të zgjedhjeve si rruga e vetme e karrierës së brendshme, me anë të pavarësimit nga oligarkia falë financimit nga kontributet e familjeve dhe sipërmarrjev të vogla e të mesme, si dhe me anë të një doktrine të djathtë të pakompromentuar nga idetë populiste.
Raporti i një partie politike me opinionin publik dhe mbështetësit e saj është përsosmërisht reciprok. Elektorati nuk mund t’i japë një përgjigje të sinqertë dhe të vërtetë një organizate politike që e furnizon atë me një simulim vetëgënjyes të transformimit dhe ripërtëritjes. Për pasojë, ndërsa një parti e tillë humbet intuitën brenda mureve të institucioneve të saj, ajo shndërrohet gjithnjë e më shumë në një antiparti, që riinjekton në publik iluzionin e politikëbërjes.
Partia Demokratike është e dënuar të hyjë në procesin e saj të transformimit të brendshëm edhe për t’i shpëtuar magjisë së zezë të dyshimit dhe mosbesimit, të cilën e ka hedhur spiralja e manipulimit të regjimit Rama-Veliaj mes mbështetësve të saj. Sepse manipulimi është një raport shkak-pasojë i luhatshëm, në të cilin e mira dhe e keqja mbivendosen dhe ku nuk mund të dallosh më forcën aktive nga objekti pasiv. Pra, kur mbillet dyshimi e ujitet përmes manipulimit të vazhdueshëm, pas një pike nuk kuptohet më se cili është shkaku manipulues e cila është pasoja e gënjeshtërt.
Shndërrimi i Partisë Demokratike në një parti popullore e kthen atë nga një parti në një mision, ku të gjithë ata që kërkojnë rikthimin e vendit në binarët e lirisë dhe demokracisë do të ndiejnë detyrimin të marrin pjesë.
Partia me arritjet më të mëdha që kanë përcaktuar kursin e europian të Shqipërisë – që nga rrëzimi i komunizmit tek anëtarësimin në NATO – duhet të bëhet një organizatë ku konkurrimi do të vlejë vetëm për hir të besimit ndaj ideve. Idealisht, askush nuk do të duhej të tundohej nga një garë për një post partiak, nëse nuk ndien lidhjen e fortë me idetë për përmirësimin e komuniteteve tona dhe ndjenjën e misionit.
Modeli i angazhimit në veprimtarinë politike duhet të jetë ai i partive politike të djathta perëndimore. Njerëzit nuk përfshihen vullnetarisht në mbledhjen e fondeve, nuk dhurojnë e nuk aktivizohen me motivin se do të përfitojën në mënyrë të paligjshme nga ardhja në pushtet e forcës për të cilën militojnë. Në përfundim të fushatave të gjithë i kthehen punës dhe fituesit ngarkohen të realizojnë vizionin e tyre për vendin.
Shqipërisë nuk i janë shteruar njerëzit që besojnë në idetë dhe institucionet e të djathtës. Por është e nevojshme që mesazhi i hapjes dhe përtëritjes së Partisë Demokratike t’i drejtohet fondit socio-politik që mund ta përtërijë vërtetë këtë parti, pa përjashtuar as ish-drejtues të saj, por duke e mbështetur gjithë procesin mbi parime politike të konkurrimit mbi bazën e ideve.