Koronavirusi do të bashkëjetojë me ne pasi vazhdon të pësojë mutacione në vendet e pavaksinuara në gjithë botën dhe shpresat për ta zhdukur atë janë zvogëluar, thanë zyrtarë të OBSH-së të martën.
“Unë mendoj se ky virus është këtu për të qëndruar me ne dhe do të evoluojë si viruset pandemike të gripit, do të evoluojë për t’u bërë një nga viruset e tjerë që na prek periodikisht,” tha në një konferencë për shtyp Dr. Mike Ryan, drejtor i Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së.
Më herët edhe këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë Dr. Anthony Fauci dhe Stephane Bancel, CEO i Moderna, kanë paralajmëruar se botës do t’i duhet të jetojë përgjithmonë me Covid, ashtu si me gripin.
Ryan shtoi se ka shumë pak gjasa që COVID-19 të eleminohet plotësisht dhe kjo sipas tij ka ardhur nga mos reagimi në kohë kundër tij.
Nëse bota do të kishte ndërmarrë hapa të hershëm për të ndaluar përhapjen e virusit, situata sot mund të kishte qenë shumë e ndryshme, thanë zyrtarët e OBSH-së.
“Ne kishim një shans në fillimin e kësaj pandemie,” tha Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19.