Organizata Botërore e Shëndetit dhe autoritetet ruse të shëndetësisë po diskutojnë procesin për vlerësimin e mundshëm nga OBSH-ja për vaksinën kundër Covid-19, miratuar nga Rusia të martën.
Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i OBSH-së.
Presidenti Vladimir Putin shpalli, të martën, lajmin se Rusia ka shpikur vaksinën e parë anti-Covid, pas më pak se dy muaj testime provë. Putin e quajti këtë një arritje të jashtëzakonshme e cila provon aftësitë shkencore dhe kërkimore të ekspertëve rusë.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet shëndetësore ruse dhe diskutimet janë duke vazhduar në lidhje me parakualifikimin e mundshëm të OBSH-së të vaksinës, por përsëri parakualifikimi i çdo vaksine përfshin rishikimin dhe vlerësimin rigoroz të të gjitha të dhënave të kërkuara të sigurisë dhe efikasitetit”, tha zëdhënësi i OBSH-së Tarik Jasarevic një konferencë e KB në Gjenevë, duke iu referuar provave klinike.
Siç Exit News ka shkruar më parë, vaksina ruse, zhvilluar nga Instituti Gamaleya në Moskë, deri më tani është testuar në grupe të vogla, të hershme klinike, të dizajnuara për të gjetur dozën e duhur. Ajo iu injektua ekspertëve që e zhvilluan atë, në atë që quhet vetë-eksperimentim dhe që është metodë e pazakontë në shkencën moderne.
Po ashtu vaksina u testua tek 50 anëtarë të ushtrisë ruse dhe një grup i vogël vullnetarësh të tjerë.