Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të shtunën se po hetohen pretendimet për probleme të mundshme të vaksinës AstraZeneca.
Danimarka, Norvegjia, Islanda, Tajlanda dhe disa rajone në Spanjë kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine. Vendimi i tyre erdhi për shkak të hetimeve mbi vdekjen e dy persona pas marrjes së dozës së parë të AstraZeneca. Ata humbën jetën si pasojë e mpiksjes së gjakut.
Italia dhe Austria ka pezulluar vetëm disa furnizime të caktuara si masë parandaluese.
Kreu i OBSH tha se janë të vetëdijshëm “se kjo është një masë parandaluese, në pritje të finalizimit te një hetimi të plotë”.
“Është e rëndësishme të theksohet se Agjencia Europiane e Barnave ka thënë se nuk ka prova për një lidhje mes vaksinës dhe mpiksjeve të gjakut dhe se vaksina mund të vazhdojë të përdoret ndërsa hetimi vazhdon”, tha kreu i OBSH.
Komisioni Europian e cilësoi më herët si të sigurt vaksinën.
OBSH ende nuk e ka rekomanduar AstraZeneca në listën e përdorimit emergjent, por ajo është parë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe rrjedhimisht plotëson kriteret e OBSH-së.
EMA shqyrtoi një rast në Austri, por nuk vërjeti lidhje mes vaksinimit dhe problemeve me gjakun.
Shqipëria ka nisur vaksinimin me AstraZeneca, të premten u morrën 38 400 doza të kësaj vaksinë. Aktualisht ka nisur vaksinimi për mësuesit.