Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përfshirë Shqipërinë në studimin e efekteve që mund të japin ilaçet kundër Covid-19. Pjesë e studimit janë mbi 100 vende.
Përmes një postimi në Facebook, OBSH në Shqipëri ka përgëzuar përfshirjen në këtë projekt teksa ka sqaruar se studimi do të bëhet për disa ilaçe të cilat kanë dhënë rezultate të ndjeshme kundër koronavirusit.
Bëhet fjalë për ilaçet klorokinë, lopinavir, ritonavir dhe remdesivir, për të cilët kërkohet të shqyrtohen efektet nëse përdoren në shkallë më të madhe.
Në vëzhgim do të merren pacientë të rritur dhe të hospitalizuar, të cilët marrin mjekim standard.
OBSH thekson se përfshirja e pacientëve do të jetë vullnetare dhe do të jenë vetë ata që do të vendosin nëse do të marrin medikamentet ndërsa ekipi mjekësor do të vlerësojë gjendjen e tyre për efekte të mundshme anësore që mund të japë ose jo ilaçi, por edhe për ndërlikimet që mund të sjellë për sëmundje të tjera.
Shqipëria raportoi të dielën 14 të infektuar të tjerë me Covid-19, duke e çuar totalin në 726 raste, prej të cilave 288 janë mbyllur me shërim dhe 28 me vdekje të pacientëve.