Viti i dytë i pandemisë COVID-19 mund të jetë më i ashpër se i pari duke pasur parasysh se si po përhapet koronavirusi i ri, veçanërisht në hemisferën veriore ndërsa qarkullojnë variante më infektive, tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Ne po hyjmë në vitin e dytë të kësaj pandemie i cili mund të jetë edhe më i ashpër duke pasur parasysh dinamikën e transmetimit dhe disa prej problemeve që po shohim, “, tha Majk Rajan, zyrtari më i lartë i urgjencave i OBSH-së, raporton Reuters.
Numri i të vdekurve në të gjithë botën po i afrohet 2 milionë njerëzve që nga fillimi i pandemisë, nga 91.5 milionë të infektuar në total.
Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së për COVID-19, paralajmëroi:
“Pas pushimeve, në disa vende situata do të përkeqësohet shumë para se të përmirësohet.”
Mes frikës në rritje të variantit më ngjitës të koronavirusit të zbuluar së pari në Britani por tani i pranishëm në të gjithë botën, qeveritë në të gjithë Evropën kanë njoftuar kufizime më të forta dhe më të gjata të koronavirusit.