Artikulli i mëposhtëm është shkëputur nga reportazhi hulumtues i Artan Ramës botuar pak ditë më parë në exit.al.
_____
Në verën e vitit 2014, themeluesja e Albtek Energy sh.p.k., Stela Gugallja, u ngjit në katin e trembëdhjetë të godinës Sky Tower në Tiranë dhe regjistroi zyrën numër 13/2 si adresë të kompanisë së sapoformuar. Pastaj u ul e shkruajti një letër në adresë të qeverisë. Ishte kërkesa e parë dhe kërkonte ngritjen e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan.
Pas pak javësh, Albtek Energy u shpall “fituese” e një gare pa konkurentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan.
Më pas, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi projektin dhe Ministria e Mjedisit nxitoi të lëshonte lejen mjedisore.
Banka Credins miratoi kredinë e kërkuar nga kompania dhe qeveria i dha asaj të drejtën për të ndërtuar dhe për të shfrytëzuar inceneratorin e Elbasanit.
Pas një viti të plotë, në 25 gusht 2015, kur çdo procedurë ligjore me qeverinë kishte përfunduar, Albtek Energy sh.p.k. doli nga Zyra 13/2 në godinën Sky Tower.
Por Zyra 13/2 strehonte njëkohësisht edhe një tjetër kompani, Integrated Technology Service sh.p.k., me administrator dhe pronar të vetëm Klodian Zoton.
Por Albtek Energy dhe Integrated Technology u ribashkuan në një vendndodhje të njëjtë zyrash disa javë më pas, në të njëjtën ditë. Në datën një tetor, ndonëse në seli të ndryshme, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”.
Ky ndryshim u bë vetëm një javë pasi Banka Credins i kishte dhënë Albtekut kredinë për të ndërtuar inceneratorin. Dukej pra, që kompanitë, përveç zyrave, po ndanin edhe bizneset.
Integrated Energy nuk ndaloi këtu. Ashtu si Albtek një vit më parë, kompania i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator në Fier.
Qeveria u vu menjëherë në lëvizje dhe në shtator të 2016, “Integrated Technology” konkuroi e vetme dhe u shpall fituese, duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Adresa mbetej përsëri, e famshmja, Sky Tower, Zyra 13/2.
Më pas, së bashku me dy ortakë të tjerë, Integrated Technology i dërgon qeverisë një letër të dytë, ku i kërkon një incenerator tjetër, por këtë radhë në Tiranë dhe, natyrisht, më të madh.
Qeveria vihet përsëri menjëherë në lëvizje dhe shpall tenderin për ndërtimin e inceneratorit. Qeveria e favorizon Integrated Technology duke i dhënë paraprakisht disa pikë bonus.
Pak javë më parë, Agjencia e Prokurimeve e Publike njoftoi rezultatin e këtij tenderi për inceneratorin e Tiranës. Natyrisht, Zyra 13/2 u shpall përsëri fituese:Integrated Technology së bashku me dy ortakët e saj do të ndërtojë Inceneratorin e Tiranës.
Brenda një periudhe dy vjeçare, një zyrë e vetme—Zyra 13/2 në katin e trembëdhjetë të godinës Sky Tower në Tiranë—siguroi një sërë kontrata prej dhjetëra milionë eurosh, siguroi të drejtën për incenerimin e mbetjeve në më shumë se gjysmën e vendit, siguroi të drejtën për të prodhuar dhe për të shitur energji elektrike dhe përfitoi falas mijëra hektarë tokë publike në favor të bizneseve të saj.
Ndonëse pa asnjë përvojë në menaxhimin e mbetjeve, përmes kompanive të saporegjistruara pa asnjë aktivitet tjetër, një grup i ngushtë personash shënuan “një histori suksesi”, qysh në muajt e parë të kësaj sipërmarjeje.
Ne i pyetëm këta biznesmenë se në ç’rrethana u përfshinë ata në menaxhimin e mbetjeve; se përse vendosën të rrezikojnë duke investuar në incenerim, në një kohë që prioritetet sipas legjislacionit ishin të tjera; se cila ishte eksperienca e tyre dhe e stafit të tyre në këtë fushë dhe, a mos përmes kompanive me emra të ndryshme fshiheshin përfitues të njëjtë?
Nuk morëm asnjë përgjigje.
Në këto kushte zgjodhëm të hulumtojmë dokumentacionin.
Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka, ka deklaruar se nuk e ka mbështetur Integrated Technology, duke pretenduar se qeveria përpara zhvillimit të procedurës përzgjedhëse për inceneratorin e Fierit, ka dhënë një bonus prej 10 për qind të pikëve në favor të një kompanie tjetër.
Bëhet fjalë për kompaninë Building Construction & Green Energy (BCGE). Por kjo kompani nuk u fut asnjëherë në garë—Integrated Technology konkuroi e vetme për inceneratorin e Fierit.
Por të dhënat e regjistrave tregtare zbulojnë arsyen pse BCGE nuk mori pjesë në garë: pak përpara garës, Integrated Technology bleu 50 për qind të kapitalit të BCGE-së.
Ndaj, pretendimi i ministrit është i pavlerë, pasi Integrated Technology, do të ishte shpallur sidoqoftë fituese.
Por le të qëndrojmë te Building Construction & Green Energy. Ajo u themelua në 29.10.2015 me një kapital të ndarë mes tre ortakësh, njëri prej të cilëve, ECOALB FR, me 50 për qind të kuotave, në pronësi të Znj. Sevi Zani. Por në kohën e themelimit, Znj. Sevi Zani ishte një juriste e punësuar e Integrated Technology Service, që kishte si administrator dhe pronar Z. Klodian Zoto.
Punonjësja Sevi Zani depozitoi 25 milionë lek si kapital themeltar për shoqërinë BCGE që krijoi dhe tre muaj më vonë ajo ia shiti gjithçka punëdhënësit të saj, pra Integrated Technology Service të Klodian Zotos.
Pak muaj pas krjimit, Building Construction & Green Energy, e freskuar me ortakë të rinj, i kërkoi qeverisë ndërtimin e një inceneratori në Fier.
Tre muaj më pas, në maj 2016, qeveria Rama, vendosi të çelë tenderin për inceneratorin e Fierit dhe përmes një vendimi “bujar”, i dhuroi kompanisë BCGE-së 10 për qind të pikëve.
Por BCGE vendosi të tërhiqet! Integrated Technology Service garoi e vetme dhe u shpall fituese.
Natyrisht që thelbi mbetej i njëjtë, pasi ITS, do të shpallej fituese në të dyja rastet. Por megjithatë, një pyetje mbetet: si shpjegohet kjo tërheqje. A mos vallë vetëm për të rrëzuar hipotezat se kompania fituese nuk u favorizua prej bonusit?
Në të vërtetë, Ministri i Mjedisit u justifikua pikërisht me këtë argument, se sipas tij, “kompania që kishte fituar bonus nuk u përfshi në garë”. Por një arsyetim i tillë është i panevojshëm dhe naiv. Ja sepse!
Për të kuptuar më shumë, le të kthehemi te ECOALB FR, kompania që zotërohej prej Znj. Sevi Zani, e cila, pak përpara marrjes së bonusit, ia shiti aksionet Z. Klodian Zoto, zotëruesit të Integrated Technology Service.
ECOALB FR ishte themeluar në tetor të 2015 dhe si adresë kishte: Ap. 68, në hyrjen nr. 4, te Pallatet Agimi. Por në 26 mars 2016, këtu, në të njëjtën adresë, vetëm pak javë përpara se qeveria të çelte tenderin për inceneratorin e Fierit, mbërriti një tjetër kompani: C.G.C sh.p.k., pronarja e së cilës ishte… Stela Gugallja—pikërisht biznesmenia e cila, një vit më parë kishte fituar inceneratorin e Elbasanit dhe tani po ribashkohej përsëri më ortakun e saj të vjetër Klodian Zoto, që disa muaj më pas u shpall fitues i inceneratorit të dytë, atij të Fierit.
Po përse vendosi C.G.C. të lëvizë? Nëse hulumtojmë dokumentacionin do të shikojmë se adresa e vjetër e CGC është zyra 13/2. Largimi i saj prej zyrës, tani që bashkëpunëtori Klodian Zoto ishte përfshirë në secilën prej kompanive që kishin treguar interes për inceneratorin e Fierit, a mos kishte për qëllim të dobësonte lidhjen me bashkëpunëtorin në sytë e publikut?
Disa muaj pasi Integrated Technology Service kishte mbetur e vetme në zyrën 13/2, kompania konkuroi e vetme dhe fitoi të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Përshtypja e dhënë, se në Fier kishte fituar një tjetër kompani, rezultoi e suksesshme.
Por thelbi ishte i qartë: në përpjekje për të zgjidhur keqmenaxhimin e mbetjeve, qeveria kishte mbështetur financiarisht vetëm një rreth të ngushtë njerëzish.
Sidoqoftë, le të shkojmë më tej!
Në shtator të 2016, Integrated Technology Service Sh.p.k. dhe Energy 2 srl (një kompani e regjistruar në Itali) fituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Më pas, ato ia transferuan këto të drejta një tjetër kompanie, të sapothemeluar: Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k., e cila kishte të njëjtën adresë, të famshmen, zyrën 13/2.
Më pas, Integrated Technology u bë zotërues i 70 për qind të kapitaleve të shoqërisë së re, duke “ia shitur” pjesën tjetër të kapitaleve (30 për qind) një kompanie tjetër, për 250 dollarë. Ortaku i ri ishte Ndërtim Montim Patos sh.p.k.”, i cili për “rastësi” ishte përfituesi, tetorin e shkuar, i rreth 700 milionë lek fonde publike për zhvendosjen e mbetjeve të vjetra të Elbasanit në landfillin e ri, pikërisht në adresën e dytë që Albtek Energy dhe Integrated Technology kishin hapur: Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan.
Por suksesi i Integrated Technology Service sh.p.k. shtrihet më tej. Kompania fitoi të drejtën për transferimin e mbetjeve urbane të qytetit të Elbasanit, vetëm disa muaj përpara operimit të impiantit të ri. Kompania gjithashtu menaxhon një stacion transferimi të mbetjeve në Kavajë, qytet ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit.
Ne hulumtuam të dhënat e publikuara nga Open Spending Albania mbi transaksionet e kryera nga Thesari i Shtetit për llogari të institucioneve buxhetore. Për vitin 2016, shuma totale e urdhëruar prej Thesarit për Ministrinë e Mjedisit, në favor të të tretëve ishte pak më shumë se dy miliardë lek (saktësisht 2 128 364 299 lek).
Nga këto, 1,7 miliardë lek kishin shkuar në favor të vetëm katër kompanive të përfshira në biznesin e menaxhimit të mbetjeve: IIntegrated Technology, Ndërtim Montim Patos, Albtek Energy dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier.
Pra, për çdo 100 milionë lek që Ministria e Mjedisit kishte shpenzuar në vitin 2016, 80 milionë ishin shpenzuar në favor të kompanive të inceneratorëve.
Vlen për t’u theksuar se kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Fierit, Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka përfituar deri tani 11 pagesa në para prej Ministrisë së Mjedisit me vlerë mbi 650 milionë lek, edhe pse ndërtimi në fjalë nuk ka filluar ende, për shkak se banorët përreth e refuzojnë ndërtimin e tij.
Natyrisht, fituesja e madhe ishte zyra 13/2. Dhe jo vetëm falë koncesioneve të inceneratorëve.
Integrated Technology Service sh.p.k u përzgjodh prej Ministrisë së Mjedisit edhe për zbatimin e dy veprave të tjera publike: ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Ishëm dhe ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Shkumbin.
Kështu në pak muaj, falë operacioneve financiare dhe marifeteve, herë ta hapura dhe herë te fshehura, duke luajtur me adresa kompanish dhe transferta kapitalesh, brenda një rrethi të ngushtë të besuarish, një grup i vogël njerëzish në zyrën 13/2 të Sky Tower, përfituan shuma të mëdha prej fondeve publike dhe arritën “qiejt” e vërtetë të suksesit.
Dështimi i politikave të menaxhimit të mbetjeve nga disa qeveri radhazi u shndërrua në një përfitim të papritur financiar për aksionerët dhe ortakët e zyrës 13/2.
Qershia mbi tortë
Inceneratori i Tiranës është inceneratori i tretë i aprovuar nga qeveria shqiptare dhe më i madhi. Zyra 13/2 është pjesë edhe e këtij suksesi.
Integrated Energy B.V., një kompani e themeluar vitin e shkuar në Amsterdam, u mbështet paraprakisht me një bonus prej 8 për qind të pikëve, dhe u shpall fituese, në një garë ku ajo konkuroi e vetme.
Por dhjetorin e shkuar, Vincent Van Gerven Oei, gazetar dhe publicist i Exit.al, zbuloi se Klodian Zoto, pronari i Integrated Technology Service sh.p.k, ishte një prej tre themeluesve të Integrated Energy B.V. Në një prej shkrimeve në Exit.al, ai shpjegoi se në bordin drejtues të Integrated Energy B.V., janë përfshirë ekspertë hollandezë, të specializuar për krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për shmangien e taksave.
Ne i telefonuam kompanisë Integrated Energy B.V. në Amsterdam dhe biseduam me Z. Hans Wallage, një prej drejtorëve të emëruar të saj, i cili na shpjegoi se, ndonëse kompania nuk kishte përvojë në menaxhimin e mbetjeve, tenderi i Tiranës ishte parë si një mundësi e mirë biznesi prej aksionerëve të kompanisë.
Por ai nuk e shpjegoi dot se në ç’rrethana ishin njohur ata me këtë mundësi. Ai nuk iu përgjigjes pyetjes, se cili ishte pronari i vërtetë i kësaj kompanie. Por konfirmoi se e njihte Klodian Zoton.
Ligji hollandez lejon fshehjen e pronarëve të kompanive, madje edhe kur ata zotërojnë vetëm 1 për qind të aksioneve.
Sidoqoftë, duhet të presim janarin e vitit 2018, kur qeveria holandeze, nën presionin e BE-së, ka premtuar të publikojë emrat e pronarëve të kompanive financiare të regjistruara në Hollandë. Ndonëse jo plotësisht, por të paktën, të atyre që zotërojnë mbi 25 për qind të aksioneve. Le të presim!
Sidoqoftë hulumtimet tona tregojnë se rrethi pas Integrated Energy B.V. përfshin të njëjtët njerëz. Dhe Klodian Zoto nuk është i vetmi.
Ernesto Granelli, projektuesi i incenenatorit të Elbasanit është një prej themeluesve të tjerë të Integrated Energy B.V. Por Z. Ernesto Granelli dhe administratorja e Albtek Energy, Stela Gugallja, janë ortakë: ende pa u çelur proçedurat për inceneratorin e Tiranës, në 25.4.2016, ata themeluan një kompani të përbashkët, E.R. One Albania sh.p.k.
Ndërkohë që numri inceneratorëve të projektuar rritet, lidhjet mes njerëzve të pakët që i menaxhojnë ato, shtohen!