Prokurori Olsian Çela mori sot detyrën e Prokurorit e Përgjithshëm. Në fjalën përshëndetëse të tij ai u shpreh se qëllimi i institucionit që ai do të drejtojë në shtatë vitet e ardhshme është rritja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Duke ju referuar tërmetit të 26 nëntorit, prokurori Çela u shpreh:
“Sot vendi po përballet me një krizë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor. Përgjigja që duhet të japë prokuroria në rastin konkret duhet të spikasë në raport me institucionet e reja. Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. “
Ndërkohë ish Prokurorja e Përgjithshme në detyrë Arta Marku, në fjalën e saj u shpreh:
“Ndihem e vlerësuar që drejtova Prokurorinë. Ishin dy vite të vështira për çdo magjistrat. Një falënderim të veçantë për mediat. Roli juaj i pazëvendësueshëm dhe na bën më të përgjegjeshmë për detyrën tonë. Urime prokurorit të ri.”
Dje, Kuvendi zgjodhi Olsian Çelën me 101 vota pro, ndërsa zonja Marku mori 11 vota pro.