Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) nuk ia ka përcjellë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) dy ankesa zyrtare të ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Antoneta Sevdari kundër dy gjyqtarëve të KPA-së, Ardian Hajdari dhe Luan Daci.
Më 28 shkurt 2019, KPA vendosi ta shkarkojë Sevdarin, duke hedhur poshtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte konfirmuar atë.
Në fund të majit, Sevdari dërgoi dy ankesa zyrtare në ONM në lidhje me gjyqtarët Hajdari dhe Daci. Daci kishte kryesuar seancën e apelit për Sevdarin, ndërsa Hajdari ishte anëtar i trupës gjykuese.
Së fundmi KPA-ja konfirmoi se ONM-ja nuk ia kishte përcjellë ankesat.
Ankesat e Sevdarit
Sevdari i bazon ankesat e saj në nenin 6(1) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas të cilit “çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj […]”
Për rastësi, ky nen ka qenë në thelb të çështjeve të paraqitura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nga Rovena Gashi, Dritan Gina, Besa Nikëhasani dhe Altina Xhoxhaj, të gjithë të shkarkuar nga vetingu. Sevdari lë të kuptohet se edhe ajo ka ndërmend ta apelojë në Strasburg shkarkimin e saj.
Sevdari citon gjithashtu një vendim të mëparshëm të GJEDNJ, i cili ka gjetur një shkelje të nenit 6(1) bazuar në faktin se një gjyqtar ishte zgjedhur me një procedurë të parregullt. Më pas, ajo argumenton se në rastin e KPA-së, të paktën dy gjyqtarë të përfshirë në çështjen e saj u zgjodhën përmes një procedure të parregullt, pasi ata nuk përmbushnin kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë.
Sipas nenit C(5) të Aneksit të Kushtetutës:
Anëtarët e Komisionit dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit kanë arsim të lartë juridik dhe jo më pak se 15 vjet përvojë si gjyqtar, prokuror, lektor i së drejtës, avokat, noter, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ose në profesione të tjera ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Ligji i Vettingut është edhe më specifik, në nenin 6 (1):
Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme: a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diploma “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj; b) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës; […] dh) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit; […] gj) zotëron shumë mirë gjuhën angleze.
Dhe neni 6(2):
Përmbushja e kritereve të mësipërme vlerësohet duke marrë në konsideratë në veçanti të dhënat si më poshtë: a) titujt shkencorë në fushën e së drejtës; b) përvojë të veçantë të kandidatit në sfera të caktuara të së drejtës; c) vjetërsinë në profesion; ç) përvojën studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar; d) notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit, dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj.
Ardian Hajdari
Sevdari argumenton se Hajdari nuk plotësonte kushtin e “përvojës së punës jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues […]”
Sipas CV-së së Hajdarit, që ai i kishte dhënë komisionit ad-hoc parlamentar për zgjedhjen e gjyqtarëve të KPA-së, dhe që ishte e publikuar deri para pak kohësh në faqen e internetit Lex Ferenda, Hajdari ishte i regjistruar si avokat në Këshillin Rajonal të Avokatëve të Shkodrës për vetëm 13 vite. Megjithatë, gjatë seancës dëgjimore ai pretendoi se kishte 17 vite përvojë.
Për më tepër, Sevdari argumenton se në dosjen e Hajdarit nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë biznes të regjistruar, gjë që do të thotë se ose Hajdari nuk e ka ushtruar kurrë profesionin e tij, ose ai i ka fshehur të ardhurat nga organet tatimore.
Sevdari më tej thekson se Hajdari nuk kishte “notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri.”
Në fakt, Hajdari kishte një mesatare prej 6.44 për diplomën e tij universitare në Drejtësi dhe nuk kishte diplomë masteri. Hajdari e pranoi këtë gjatë seancës dëgjimore.
Për ta mbyllur, në dosjen e tij Hajdari nuk paraqiti asnjë dëshmi për njohuritë e tij të gjuhës angleze.
Me fjalë të tjera, emërimi i Hajdarit shkeli të paktën tri kritere specifike në legjislacionin shqiptar dhe për rrjedhojë ishte i parregullt. Sipas vendimeve të GJEND, kjo e e bën shkarkimin e Sevdarit të paligjshëm.
Luan Daci
Sipas Sevdarit, Daci nuk e ka përmbushur kriterin që “ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.”
Në fakt, jo më larg se viti 2016 Daci ishte përjashtuar nga një aplikim në një gjykatë të shkallës së parë (niveli më i ulët), për shkak të shkarkimit të tij nga detyra bazuar në një vendim të 24 dhjetorit 1997 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sidoqoftë, gjatë seancës dëgjimore Daci pretendoi se atëherë ai kishte “dhënë dorëheqjen”.
Çuditërisht, Daci nuk e kishte përfshirë “përvojën” si gjyqtar në CV-në që i kishte dhënë komisionit ad-hoc, megjithëse e kishte përfshirë atë në CV-në e tij kur aplikoi për punë në gjykatën e shkallës së parë në vitin 2016.
Për më tepër, ashtu si Hajdari, Daci nuk arriti të sigurojë asnjë provë se vërtet ka punuar si avokat: asnjë faturë tatimore, përsëri thjesht një regjistrim në Dhomën e Avokatisë. Gjithashtu, Daci nuk ka paraqitur prova se zotëron gjuhën angleze.
ONM nuk ndërmerr asnjë veprim
Në të dyja rastet, këto janë akuza serioze. Nëse gjyqtarët e organit më të lartë të vetingut janë emëruar në kundërshtim me legjislacionin shqiptar, kjo dëmton rëndë legjitimitetin e vetingut.
Megjithatë, më 1 tetor, zëdhënësja e KPA-së, Alida Beqiraj konfirmoi që KPA i kishte marrë ankesat e Sevdarit, por se asnjë ankesë zyrtare nuk ishte marrë “në formën e kërkuar nga ligji”.
Sipas Ligjit të Vetingut, neni 17(1), procedurat disiplinore kundër një gjykatësi të KPA-së mund të paraqiten vetëm nga gjyqtarët e institucioneve të vetingut ose nga vëzhguesit e ONM-së. Sipas nenit pasues 17(2), anëtarët e publikut, siç është Sevdari, duhet t’i paraqesin denoncimet e tyre te ONM-ja.
Me fjalë të tjera, KPA e mori ankesën e Sevdarit, por jo përmes kanalit zyrtar të ONM-së. Kjo do të thotë që ONM-ja vendosi me qëllim t’i injoronte ankesat e Sevdarit.
Ajo që duhet të theksohet në të dyja rastet është se pretendimet e Sevdarit mund të verifikohen lehtësisht nga çdo autoritet zyrtar: Hajdari ose ka punuar ligjërisht si avokat për 15 vjet ose nuk ka punuar. Mesataren e notave ai ose e ka ose nuk e ka 6.44. Ai ose di ose nuk di anglisht. E njëjta gjë edhe për Daçin: Ai ose u pushua nga puna në vitin 1997 ose nuk u pushua.
Po ONM-ja pse zgjodhi të mos ia përcillte ankesat KPA-së? Arsyet mund të jenë të dukshme. Nëse do të rezultonte se Hajdari dhe Daci ishin emëruar vërtet në kundërshtim me ligjin, kjo jo vetëm që do të bënte të pavlefshme vendimet e tyre, por mbi të gjitha kjo do t’i shkaktonte dëme të konsiderueshme besueshmërisë së procesit të vetingut.
Përkundrazi, duke mos bërë asgjë, ONM-ja ka vendosur të minojë besueshmërinë e vet si arbitër neutral, dhe t’ia kalojë topin Gjykatës së Strasburgut. Dhe kur të vijë koha që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të vendosë vërtet se Sevdari nuk u gjykua “nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”, atëherë dëmi do të jetë akoma më i madh.